Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar humbjen e një shume të konsiderueshme parash në Sukth të Durrësit. Ajo tregon se të hënën, më 23 nëntor, rreth orës 17:28, pasi kishte dalë nga puna, ka harruar çantën mbi makinën e saj pa e kuptuar.
Sipas qytetares, në çantë ndodheshin 1,850 euro, 937 mijë lekë të reja dhe pasaporta e saj. Ajo pretendon se kamerat e sigurisë kanë filmuar personat që kanë kaluar pranë automjetit, kanë marrë paratë dhe më pas kanë hedhur çantën bashkë me pasaportën në rrugë.
E ndodhur përballë humbjes së kësaj shume, qytetarja ka vendosur të bëjë një apel publik për personat që kanë marrë paratë. Ajo u kërkon t'i kthejnë ato në mënyrë diskrete, pa e çuar më tej çështjen, ndërsa paralajmëron se në të kundërt pamjet filmike do t'u dorëzohen autoriteteve.
“Ju jap mundësinë t'i ktheni paratë që keni marrë”, është mesazhi që ajo përcjell përmes videos së dërguar në redaksi.
Qytetarja kërkon gjithashtu ndihmën e kujtdo që mund të ketë informacion për ngjarjen, duke i ftuar të kontaktojnë redaksinë e JOQ Albania. Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse personat e filmuar nga kamerat do të reagojnë ndaj kësaj thirrjeje dhe do të kthejnë shumën e pretenduar të marrë.