Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Serbia jashtë tryezës, Bashkimi Europian kërkon reforma konkrete dhe përparim në dialogun Prishtinë-Beograd Mbi pesë orë çdo ditë të shpenzuara për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar.
Kjo është mesatarja e punës së papaguar të grave në Shqipëri, ndërsa burrat u kushtojnë të njëjtave përgjegjësi vetëm rreth 50 minuta në ditë.
Raporti i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, i publikuar në vitin 2026, evidenton se gratë shqiptare i kushtojnë 21.74% të kohës së tyre ditore punës së papaguar, kundrejt vetëm 3.47% të burrave.
Diferenca është më shumë se gjashtëfish, duke reflektuar një shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive familjare, me pasoja të drejtpërdrejta në pjesëmarrjen në tregun e punës, të ardhurat dhe mundësitë për zhvillim profesional.
Në vitin 2024, 30.7% e grave ishin jashtë tregut të punës, krahasuar me 17.7% të burrave. Mes personave joaktivë në tregun e punës, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë kryesore, kundrejt më pak se 1% të burrave.
Pabarazia nuk kufizohet vetëm te gratë që nuk punojnë. Edhe për ato që janë të punësuara, angazhimi i lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin familjar kufizon kohën në dispozicion për zhvillim profesional, avancim në karrierë dhe angazhim në aktivitete të tjera ekonomike.
Në një treg pune që përballet me tkurrjen e fuqisë punëtore, përgjegjësitë e papaguara familjare përbëjnë një pengesë për shfrytëzimin e plotë të kapitalit njerëzor në vend.
Një kontribut ekonomik ende i pamatur
Megjithëse puna e papaguar mundëson funksionimin e familjeve dhe mbështet aktivitetin ekonomik të anëtarëve të tjerë të tyre, vlera monetare e saj mbetet kryesisht e padukshme në statistikat ekonomike.
Shqipëria nuk ka ende një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, ndërsa politikat që lidhen me këtë sektor janë të shpërndara në dokumente dhe ligje të ndryshme, citohet nw raport.
Një zhvillim i rëndësishëm është miratimi i ligjit nr. 64/2025 për Barazinë Gjinore, i cili njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe familjes.
Ligji parashikon gjithashtu promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë për të lehtësuar balancën ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare.
Megjithatë, sipas UN Women, zbatimi efektiv i këtyre dispozitave kërkon ndryshime të mëtejshme ligjore dhe miratimin e akteve nënligjore.
Raporti nënvizon se investimet në shërbimet publike të kujdesit, veçanërisht në çerdhe, kopshte dhe shërbime për të moshuarit, mund të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe, për rrjedhojë, në zhvillimin ekonomik të vendit./Monitor
Top Channel