Dy persona kanë humbur jetën dhe 48 të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror rus gjatë natës në qytetin e Zaporizhzhias, në jug të Ukrainës. Mes të plagosurve janë edhe katër fëmijë, njoftuan autoritetet ukrainase të martën.
Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Mykhailo Semikin, sulmi u krye me bomba ajrore rrëshqitëse dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në zonat e banuara. Një banesë private u shkatërrua plotësisht, ndërsa një pallat pesëkatësh pësoi dëmtime të pjesshme.
Autoritetet bëjnë të ditur se fëmija më i vogël i plagosur është nën një vjeç, ndërsa tre të tjerët janë përkatësisht 4, 6 dhe 16 vjeç. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në zonat e goditura për të ndihmuar banorët dhe për të vlerësuar dëmet materiale.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ushtria do të dërgojë përforcime në rajonin e Zaporizhzhias, i cili ndodhet përgjatë vijës së frontit që shtrihet në lindje dhe jug të vendit.
Në një tjetër zhvillim, Zelensky deklaroi se Ukraina ka nevojë për 115 miliardë euro ndihmë të huaj gjatë vitit të ardhshëm për të vazhduar luftën kundër Rusisë. Sipas tij, 90 miliardë euro janë siguruar tashmë, ndërsa pjesa tjetër prej 25 miliardë eurosh mbetet për t'u gjetur.
Ndërkohë, mediat e pavarura ruse Meduza dhe Mediazona publikuan një vlerësim sipas të cilit më shumë se 700 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Associated Press thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë analizë, ndërsa Moska nuk ka publikuar prej vitesh shifra zyrtare për humbjet ushtarake.
© SYRI.net