Beteja ligjore e Haaland kundër një elektricisti polak; në lojë është vetë mbiemri i tij

25 Nëntor 2026
7:57
Alfred Lleshi
back button

Erling Haaland, sulmuesi milioner i Manchester City, është përfshirë në betejë ligjore me një elektricist polak. Futbollisti kërkon të ndalojë Michael Was, një elektricist polak që jeton në Norvegji, të regjistrojë mbiemrin “Haaland” si markë tregtare në Bashkimin Europian.

Konflikti nisi në vitin 2023, kur Haaland tentoi të regjistronte emrin e tij për të krijuar një markë personale. Atëherë zbuloi se Was e kishte regjistruar më parë “Haaland” në 16 kategori produktesh, nga artikujt sportivë, pijet energjike dhe suplementet proteinike, deri te të brendshmet për femra, kosi dhe lodrat.

Avokatët e futbollistit e akuzuan polakun pranë EUIPO-s (Zyrës së Pronësisë Intelektuale të BE-së) për veprim në keqbesim dhe përpjekje për të përfituar nga fama ndërkombëtare e lojtarit.

Was u mbrojt duke pretenduar se emri ishte një lojë fjalësh mes polonishtes “hala” (pavijon) dhe anglishtes “land” (tokë), si dhe akronim i markës së tij “High Advanced Activity Land”.

EUIPO e konsideroi shpjegimin jo bindës dhe anuloi regjistrimin, duke vlerësuar se ai synonte përfitim të padrejtë nga fama e futbollistit dhe mund të krijonte përshtypjen e rreme të një sponsorizimi zyrtar nga Haaland.

Tashmë, Was ka vendosur ta apelojë çështjen në gjykatat europiane. Ndërkohë, në fillim të këtij viti, Haaland dhe përfaqësuesit e tij paditën edhe një kompani ajrore norvegjeze, pasi ajo kishte përdorur imazhin e tij, duke përfshirë bishtin karakteristik të flokëve, të montuar në një avion pasagjerësh për një reklamë publicitare.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit