Shoqata ProEksport Albania dhe 28 sindikata e organizata të shoqërisë civile, i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe përfaqësisë së BE-së në Shqipëri.
Ato kërkojnë që paga minimale të mos tatohet dhe të ndryshojë mënyra si llogaritet tatimi për pagat e ulëta.
Të lidhura
None found
Organizatat propozojnë që kufiri i patatueshëm të barazohet me pagën minimale zyrtare dhe të rritet automatikisht bashkë me të.
Sipas tyre, duhet rishikuar edhe mënyra e zbatimit të tatimit mbi pagat e ulëta.
Ato kërkojnë që pjesa e pagës deri te pragu i patatueshëm të mbetet e përjashtuar edhe kur paga bruto e kalon atë kufi.
Tatimi, sipas propozimit, duhet të llogaritet vetëm mbi shumën që e tejkalon pragun, në mënyrë që çdo rritje e pagës bruto të rrisë edhe të ardhurat neto të punëmarrësit.
Në letër jepet si shembull formula aktuale: një punëmarrësit që i rritet paga bruto me 1.000 lekë, nga 50.000 në 51.000 lekë, i ulen të ardhurat neto me 1.192 lekë. Organizatat vënë në dukje se rritja e pagës nuk duhet të përfundojë në ulje të të ardhurave të punëmarrësit.
Sipas llogaritjeve të tyre, me formulën që projektligji ruan për pagat e ulëta, një pagë bruto prej 50 000 lekësh sjell 44 400 lekë neto pas kontributeve.
Kur paga bruto shkon në 51 000 lekë, zbritja personale ulet nga 50 000 në 35 000 lekë, tatimi arrin në 2 080 lekë dhe paga neto bëhet 43 208 lekë.
Kështu, shtojnë organizatat, rritja bruto prej 1 000 lekësh sjell 1 192 lekë më pak në muaj për punëmarrësin. Ato e cilësojnë këtë si një paradoks të papranueshëm, pasi një rritje e vogël e pagës përfundon duke i lënë punëmarrësit më pak të ardhura.
Letra paralajmëron gjithashtu se, nëse paga minimale zyrtare rritet ndërsa pragu i patatueshëm mbetet 50 000 lekë, edhe personat që marrin pagën minimale mund të fillojnë të paguajnë tatim mbi pagën.
Nisma, sipas nënshkruesve, nuk lidhet vetëm me interesat e një sektori ekonomik, por synon interesin e përbashkët të punëmarrësve, familjeve, konsumatorëve dhe sipërmarrjeve.
Shoqatat e biznesit dhe sindikatat vlerësojnë se ndryshimi i fashave në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat, pjesë e paketës fiskale, lehtëson tatimin për pagat bruto mbi 200,000 lekë në muaj.
Për pagën 100,000 lekë, tatimi mujor mbetet 9 100 lekë, ndërsa për pagën 300,000 lekë ai ulet me 10,000 lekë në muaj.
Organizatat kërkojnë nga Ministria e Financave të paraqesë edhe alternativa që u japin përparësi punëmarrësve me paga të ulëta dhe të mesme. Sipas tyre, edhe një ndryshim i vogël i pagës neto ndikon drejtpërdrejt në mundësinë për të përballuar shpenzimet mujore.
Për shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me paketën fiskale, nënshkruesit kërkojnë një seancë dëgjimore me përfaqësues të punëmarrësve, konsumatorëve, bizneseve të vogla dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ata kërkojnë gjithashtu që komisioni përgjegjës t’i përfshijë propozimet në raport dhe të shpjegojë mënyrën si janë trajtuar.







