Një avion i vogël është rrëzuar në ujërat e Gjirit të Meksikës, pranë brigjeve të Misisipit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjashtë personat që udhëtonin në bord kanë humbur jetën, përfshirë edhe dy fëmijë.
Bëhet fjalë për një avion të modelit Cessna 210, i cili ishte nisur nga aeroporti Lakefront i New Orleansit me destinacion Fort Myers në Florida. Rrëzimi ndodhi pasditen e së martës, në hapësirën detare ndërmjet qytetit Pascagoula dhe ishullit Horn.
Të lidhura
None found
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se në avion ndodheshin katër të rritur dhe dy djem, të moshave 8 dhe 10 vjeç.
Të dhënat paraprake të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) tregojnë se avioni po humbiste lartësi me një ritëm prej rreth 10 mijë këmbësh në minutë, pak para se të përplasej në det. Kulla e kontrollit ajror në Mobile, Alabama, humbi lidhjen me avionin rreth orës 15:45, sipas kohës lokale, duke sjellë aktivizimin e menjëhershëm të ekipeve të kërkim-shpëtimit të Rojës Bregdetare amerikane.
Në fazat e para të operacionit, ekipet gjetën disa pjesë të avionit, mes tyre kabinën, tre jelekë shpëtimi dhe një gomone. Megjithatë, pasagjerët nuk u lokalizuan menjëherë. Pas disa orësh, zhytësit e Departamentit të Burimeve Detare të Misisipit gjetën trupat e pajetë të të gjashtë personave brenda avionit.
Roja Bregdetare amerikane e përshkroi ngjarjen si një tragjedi dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave. Hetimi për shkaqet e aksidentit do të drejtohet nga Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB).
Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa shkaqet që çuan në rrëzimin fatal nuk kanë marrë ende një përcaktim zyrtar.






