Izraeli ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë, duke akuzuar Iranin se po zhvillon armë kimike. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se Tel Avivi nuk do të lejojë që Teherani të pajiset me kapacitete të tilla.

Sipas Katz, Irani ende nuk ka aftësinë për t’i përdorur këto armë kundër Izraelit, por ai kërkoi që rreziku të parandalohet përpara se të bëhet realitet.

Deklaratat e ministrit izraelit shoqërohen edhe me paralajmërime për mundësinë e një sulmi parandalues. Katz tha se ushtria mund të urdhërohet të godasë Iranin, nëse konstatohen përgatitje për një sulm ndaj Izraelit.

Megjithatë, deri më tani, autoritetet izraelite nuk kanë publikuar prova që mbështesin pretendimet për zhvillimin e armëve kimike nga Teherani.

Ndërkohë, rivali politik i Benjamin Netanyahut, Gadi Eisenkot, ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, duke deklaruar se në të ardhmen e afërt nuk ka arsye për një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas një raportimi të CNN, i cili, duke cituar shtatë zyrtarë amerikanë, pretendoi se inteligjenca amerikane kishte të dhëna për përgatitjen e një sulmi kimik iranian ndaj Uashingtonit. Sipas raportimit, kërcënimi nuk konsiderohej i menjëhershëm.

Nga ana e tij, Irani i ka mohuar kategorikisht akuzat. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, i cilësoi ato si të pabazuara, duke i krahasuar me pretendimet për armët e shkatërrimit në masë në Irak, për të cilat u justifikua ndërhyrja amerikane në vitin 2003.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: