Flakët “përpijnë” një automjet gjatë natës në Vlorë, dyshohet se zjarri nisi nga koshat e mbeturinave

25/11/2026 08:53

Një automjet është përfshirë nga flakët gjatë orëve të natës në lagjen “1 Maji” në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar personat përgjegjës.

Sipas informacioneve paraprake, fillimisht flakët kanë përfshirë një kosh mbeturinash, i cili ndodhej në hapësirën publike. Zjarri është përhapur më pas edhe në një automjet që ishte i parkuar fare pranë koshave, duke bërë që edhe makina të përfshihej nga flakët.

Ende nuk dihet nëse objektivi i personave që dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin kanë qenë koshat e mbeturinave apo nëse automjeti është djegur si pasojë e përhapjes së flakëve. Megjithatë, dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, duke nisur nga koshi i mbeturinave, raporton korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi.

Pas marrjes së njoftimit, policia ka kryer veprimet e para hetimore në vendngjarje, ndërsa janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth. Këto pamje pritet të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve në zonë dhe identifikimin e personave që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e dëmeve materiale dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për persona të identifikuar apo të shoqëruar lidhur me ngjarjen.

Top Channel