Tre shqiptarë në Spanjë, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., janë vënë në pranga për grabitje.
Sipas mediave spanjolle, bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar dhe të specializuar që të gjithë procesin e grabitjes së banesave e realizonin në një kohë maksimale prej dhjetë minutash. Një tjetër veçori ishte përdorimi i teknologjisë së avancuar me qëllim maksimizimin e përfitimit nga çdo grabitje.
Policia sekuestroi targat e modifikuara të automjeteve dhe mjete komplekse, si gërshërë hidraulike për të shqyer hyrjet e banesave, si dhe pajisje të specializuara, ndër të cilat spikasnin reagentët kimikë që u mundësonin të kontrollonin në vendngjarje pastërtinë e diamanteve dhe arit të vjedhur.
Kjo metodë u mundësonte të përzgjidhnin objektet me vlerën më të madhe dhe të përjashtonin të rremet brenda pak sekondash.
Përveç përdorimit të pajisjeve të sofistikuara dhe organizimit të lartë, grupi vepronte mbi bazën e një rregulli të rreptë: shmangien me çdo kusht të kontaktit me viktimat.
Gjatë konferencës për shtyp, ku u dhanë detaje mbi operacionin, autoritetet u përpoqën të përcillnin një mesazh qetësues për qytetarët.
“Nëse në banesë ndodhen persona, ata nuk hyjnë kurrë brenda. Nëse, për shkak të ndonjë gabimi, futen në banesë dhe konstatojnë praninë e një personi, largohen menjëherë”, shpjegoi kapiteni i Njësisë Organike të Policisë Gjyqësore, Juan José López.
Në bazë të kësaj mënyre veprimi, gjatë javëve të fundit grupit i atribuohen deri në 17 grabitje të këtij lloji në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Garda Civile e Ourense nisi hetimet ndaj grupit kriminal më 30 tetor dhe, që nga ajo datë, identifikoi 6 grabitje në zona të ndryshme të provincës.
Grabitjet e para u kryen po atë ditë në A Merca dhe Allariz, më 1 nëntor në Vilanova dos Infantes (Celanova) dhe Barbadás, ndërsa më 4 nëntor në Coles dhe Vilamarín.
Kapiteni López deklaroi se bëhej fjalë për një hetim shumë të shpejtë, duke shtuar: “Kemi shumë informacione për të analizuar, por pa asnjë dyshim besojmë se ekzistojnë edhe vepra të tjera penale që mund t'u atribuohen atyre”.
Pas këtyre grabitjeve, autorët u larguan nga Galicia më 7 nëntor, për t'u rikthyer katër ditë më vonë.
Përpara arrestimit të 18 nëntorit në Vila de Cruces, në provincën e Pontevedra-s, agjentët e Gardës Civile kishin tentuar dy herë t'i kapnin. Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit strehoheshin në një zonë pyjore, ku flinin në një tendë kampingu.
Kur policia ngriti një postbllok në zonën e Vila de Cruces, të dyshuarit tentuan të largoheshin me shpejtësi. Gjatë arratisjes, automjeti i tyre u përplas me dy automjete zyrtare të Gardës Civile, duke shkaktuar dëme materiale.
Pak më vonë, drejtuesi humbi kontrollin e makinës dhe automjeti përfundoi në një greminë disa metra të thellë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë





Komente
Komento