Sindikata e Re e KEK-ut ka vlerësuar angazhimin e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës për rikthimin në operim të Bllokut B1 të Termocentralit Kosova B.

Përmes një postimi në Facebook, sindikata ka veçuar angazhimin e salduesit në TC Kosova B, Elbasan Nebihi, i cili, sipas tyre, po vazhdon punën edhe në orët e vona për të kontribuar në rikthimin e bllokut në funksion.


Sindikata ka theksuar se punëtorët po tregojnë përkushtim të lartë profesional, pavarësisht lodhjes dhe sfidave me të cilat po përballen.

“Punëtorët e KEK-ut po tregojnë përkushtim të jashtëzakonshëm për rikthimin në operim të Bllokut B1 të Termocentralit Kosova B”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Tutje, sindikata ka shprehur krenarinë për punëtorët e angazhuar, duke vlerësuar kontributin e tyre në funksion të sigurisë energjetike të vendit.

“KEK-u është shtëpia jonë, ndërsa punëtorët janë shtylla e saj!”, thuhet në postim.

Në fund, Sindikata e Re e KEK-ut ka shprehur mirënjohje për të gjithë punëtorët që po angazhohen për rikthimin e Bllokut B1 në operim. /Telegrafi/