Një automjet është shkrumbuar nga flakët gjatë orëve të natës në lagjen “1 Maji” në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur fillimisht në një kosh mbeturinash të vendosur në hapësirën publike, për t’u përhapur më pas drejt një automjeti që ndodhej i parkuar pranë tij. Si pasojë, makina është përfshirë e gjitha nga flakët dhe është djegur thuajse plotësisht.
Ngjarja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme, megjithëse shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar zyrtarisht.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e dëmeve dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për persona të identifikuar apo të shoqëruar lidhur me rastin.













