Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së shmang pyetjet për hetimin ndaj Nvidia-s

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së shmang pyetjet për hetimin ndaj Nvidia-s

08:34, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, e ka cilësuar Nvidia-n si një “kompani të përgjegjshme”, ndërsa ka refuzuar të komentojë nëse prodhuesi i çipave për inteligjencën artificiale është nën hetim federal.

Blanche tha se nuk kishte informacion për statusin e lejes së sigurisë së Jensen Huang, CEO-s së rikthyer në detyrë, ndërsa ligjvënësit kërkojnë përgjigje për përfshirjen e presidentit Donald Trump në rikthimin e tij.

Huang u rikthye në detyrë më pak se dy javë pasi u detyrua të jepte dorëheqjen, pas zbulimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një me një person të dyshuar si spiune kineze.

I pyetur disa herë të martën nëse Departamenti i Drejtësisë apo FBI-ja kishin hetuar Huang-un, Blanche u përgjigj: “Nuk e di për çfarë po flisni”.

Huang pritet të dëshmojë para Kongresit javën e ardhshme, ku do të pyetet për shqetësimet e sigurisë kombëtare lidhur me marrëdhënien e tij me një të dyshuar si spiune kineze, e cila drejtonte Megaspeed, një kompani me seli në Singapor dhe kliente korporative e Nvidia-s.

Trump ka thënë se do të shqyrtonte mundësinë e faljes së Huang-ut për çdo veprimtari të mundshme kriminale, megjithëse nuk mendon se do të ketë nevojë për një gjë të tillë.

“Është gjithmonë një mundësi, besoj, por nuk mendoj se do të jetë e nevojshme”, i tha Trump gazetës New York Post në një intervistë të publikuar të martën.

Departamenti i Tregtisë i SHBA-së ka njoftuar gjithashtu se po përgatitet ta vendosë kompaninë teknologjike Megaspeed në listën e zezë, pasi dyshohet se ka ndihmuar në devijimin drejt Kinës të çipave të avancuar.

Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, Departamenti i Tregtisë dhe ai i Drejtësisë thanë se hetimet ndaj Megaspeed nisën në vitin 2024, “për shkelje të mundshme të kontrolleve të eksportit”.

Por, duke folur për gazetarët të martën, Blanche tha se Departamenti i Drejtësisë ka “qindra, në mos më shumë” hetime për eksportet që zhvillohen në çdo moment.

“Prandaj, kur thoni se hetimi për eksportet është ende në vijim, nuk e di për çfarë po flisni”, tha ai.

I pyetur nëse ishte i kënaqur me bashkëpunimin e Nvidia-s në përpjekjet për të zbuluar nëse kompania apo Huang mund të kishin pasur dijeni për devijimin e çipave drejt Kinës, Blanche u përgjigj:

“Nuk kam asnjë arsye të dal këtu dhe të them se Nvidia është diçka tjetër përveçse një kompani e përgjegjshme.

“Natyrisht, nëse Nvidia do të ishte objekt i një hetimi penal, nëse do t’i nënshtrohej një hetimi të tillë, apo nëse do të pengonte ose sabotojë hetimin tonë, atëherë ky nuk do të ishte mesazhi që presidenti po u përcjell amerikanëve.

“Dhe sigurisht, nuk duhet të jetë as mesazhi im”.

Ndërsa vlera e Nvidia-s në bursë u rrit pas njoftimit për rikthimin e Huang-ut në detyrë, një pjesë e fitimeve u fshinë gjatë tregtimit të luhatshëm të së martës.  /BBC/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco