Guardiola zbulon klubin brazilian që do të donte të drejtonte: Nuk kanë para për të më paguar

Guardiola zbulon klubin brazilian që do të donte të drejtonte: Nuk kanë para për të më paguar

09:07, 25/11/2026

Pep Guardiola ka rrëfyer disa prapaskena nga karriera e tij, në një intervistë për Romário TV, ku foli për Carlo Ancelottin, kombëtaren braziliane, Neymarin, Lamine Yamal dhe një ofertë për të drejtuar përfaqësuesen e Italisë, të cilën e refuzoi.

Trajneri katalanas doli në mbrojtje të Ancelottit, i cili është në krye të Brazilit, duke theksuar se një kombëtare ka nevojë për kohë për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Guardiola kundërshtoi idenë se një trajner i madh mund të mbërrijë dhe të fitojë menjëherë Kupën e Botës.

“Presioni është shumë i madh dhe ndonjëherë duhet kohë. Nuk është thjesht të vish këtu. Mund të vijë Carlo, Pep, Jurgen Klopp apo Jose Mourinho, por nuk mund të bëjnë që Brazili, pesë herë kampion bote, të fitojë sërish Botërorin brenda dy ditësh. Ndonjëherë nevojitet më shumë kohë”, u shpreh ai.

I pyetur nëse do të dëshironte të qëndronte në Brazil, Guardiola iu përgjigj me humor Romários, duke përmendur klubin Bahia, pjesë e City Football Group, organizatë që zotëron edhe Manchester City-n.

“Bahia. Vetëm se mendoj që nuk kanë shumë para për të më paguar”, tha trajneri, duke shkaktuar të qeshura gjatë bisedës.

Guardiola zbuloi gjithashtu se në vitin 2013, kur u largua nga Barcelona për të marrë drejtimin e Bayernit, kishte tentuar të bindte Neymarin të transferohej në Gjermani, përpara se braziliani të zgjidhte Barcelonën.

“Do të kisha shumë dëshirë ta stërvitja Neymarin. E konsideroja një lojtar të nivelit më të lartë, me një elegancë, bukuri dhe guxim të jashtëzakonshëm. Do të ishte kënaqësi ta drejtoja”, tha Guardiola, duke vlerësuar edhe treshen Neymar-Messi-Suárez, të cilën e cilësoi si më të mirën që ka parë ndonjëherë.

Ai foli me superlativa edhe për Lamine Yamal, duke theksuar se talenti i Barcelonës ka diçka të veçantë dhe dëshirën për t'u bërë më i miri.

Në fund, Guardiola tregoi se kishte marrë një ofertë për të drejtuar kombëtaren italiane, por vendosi ta refuzonte, pasi kishte nevojë për pushim pas 18 vitesh karrierë intensive.

“Është një nder i madh që Italia mendoi për mua. Më vjen turp të refuzoj një vend si Italia, por në atë moment ndieja se duhej të ndaloja. Kisha nevojë për më shumë kohë për veten. Kam qenë trajner për 18 vite, duke luajtur ndeshje çdo tri ditë. Erdhi një moment kur thashë: ‘Uf, mjafton’”, përfundoi Guardiola.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco