Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025, në banesën e tyre në Volos.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të gushtit të vitit të kaluar, kur 40-vjeçari e goditi disa herë bashkëshorten 36-vjeçare me sende të forta. Krimi u krye në prani të katër fëmijëve të çiftit. Sipas mediave greke, procesi gjyqësor nisi të enjten e kaluar dhe përfundoi të hënën me shpalljen e vendimit. Gjykata e konsideroi Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Përveç burgimit të përjetshëm, ai u dënua edhe me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Gjatë gjyqit, Prokuroria paraqiti dëshmi për dhunën psikologjike, verbale dhe fizike që, sipas saj, 40-vjeçari kishte ushtruar ndaj bashkëshortes. Akuza argumentoi se vrasja ishte planifikuar dhe ishte kryer me paramendim.
Në mbrojtjen e tij, Nakoleci pretendoi se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se gjendja e tij psikologjike, së bashku me marrëdhënien me bashkëshorten, kishin ndikuar në kryerjen e krimit. Avokati kërkoi që klientit t’i njihej përgjegjësi penale e reduktuar, duke iu referuar një çrregullimi psikik të diagnostikuar. Sipas tij, 40-vjeçari vazhdonte të merrte medikamente edhe gjatë qëndrimit në burg.
Megjithatë, prokurorja kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese dhe shpalljen e tij fajtor për vrasje me dashje, në gjendje të qetë shpirtërore. Gjykata pranoi qëndrimin e akuzës dhe nuk njohu rrethana lehtësuese për të pandehurin. Në sallën e gjyqit ishin edhe katër fëmijët e çiftit, të cilët nuk u thirrën për të dëshmuar gjatë procesit.
