Në një postim në Facebook të mërkurën, Kurti ka vlerësuar se rezultatet më të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët janë shënuar gjatë mandatit të tij të dytë qeverisës.

Ai ka theksuar se mandati i parë në vitin 2020 zgjati vetëm katër muaj, ndërsa qeverisja e tretë sivjet zgjati shtatë muaj e dy ditë, duke argumentuar se të arriturat kryesore i takojnë mandatit të dytë.

“Mirëpo, të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët e saj natyrisht që ishin në Kurti 2. Dhe, në vijim keni përmbledhjen me të arriturat kryesore të Kurti 2”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të jetë gati edhe drafti i programit të ri qeverisës, në të cilin, sipas tij, janë përmbledhur zotimet me të cilat fitoi sërish zgjedhjet.