Mourinho zbulon lëvizjen gjeniale që i dha fitoren me përmbysje Real Madridit ndaj PSV-së
Jose Mourinho ka krahasuar dhomën e zhveshjes së Real Madridit me Las Vegasin, pas fitores bindëse të skuadrës së tij ndaj PSV Eindhoven në Ligën e Kampionëve.
Trajneri portugez ka ruajtur misterin rreth asaj që u tha në pushimin mes pjesëve, pasi madrilenët shfaqën një fytyrë krejt tjetër në pjesën e dytë. Pas 45 minutave të para, në të cilat skuadra e tij kishte vuajtur për të gjetur ritmin, ndryshimet taktike sollën një reagim të madh.
I pyetur për fjalimin në dhomën e zhveshjes, Mourinho nuk pranoi të zbulonte detajet, duke iu referuar një shprehjeje të njohur për qytetin amerikan.
“Dhoma e zhveshjes është si Las Vegasi. Ajo që ndodh në Vegas, mbetet në Vegas. Kemi biseduar. Jemi miq dhe kemi folur”, deklaroi Mourinho.

Megjithatë, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri zbuloi se nuk ishte mbështetur vetëm te fjalët për ta ndryshuar paraqitjen e skuadrës. Ai kishte përdorur edhe pamje filmike të përgatitura nga analistët, për t’ua treguar lojtarëve gabimet e pjesës së parë.
“U përpoqa të gjeja tri ose katër pamje me analistët, të cilat do t’u tregonin lojtarëve se çfarë po bënim gabim. Ishte një fjalim në pushim me pak fjalë, sepse një fotografi vlen sa një mijë fjalë”, shpjegoi ai.
“Pamë tri pamje të ndryshme, një në aspektin mbrojtës dhe dy në atë sulmues. Me pamje është më e lehtë për t’i kuptuar gjërat”, shtoi trajneri.
Një tjetër vendim që ndikoi në ndryshimin e lojës ishte zëvendësimi i trefishtë i bërë nga Mourinho në pushimin mes pjesëve. Ky ndryshim u bë pikë kthese për skuadrën, por portugezi nuk deshi t’i fajësonte publikisht lojtarët që i largoi nga fusha.
Në vend të kësaj, ai e mbrojti vendimin si një lëvizje të menduar taktike, e jo si kritikë ndaj futbollistëve që nuk e nisën mirë ndeshjen./Telegrafi/


































