Një zjarr ka përfshirë një nga ndërtesat në pronën luksoze të aktorit hollivudian Will Smith dhe bashkëshortes së tij, Jada Pinkett Smith, në Calabasas të Kalifornisë. Rezidenca, vlera e së cilës raportohet të jetë rreth 42 milionë dollarë, u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 23 nëntor.
Sipas autoriteteve, alarmi u dha rreth mesnatës, pasi shërbimi i sigurisë në pronë konstatoi se një ndërtesë e vogël, e përdorur për mirëmbajtje, ishte përfshirë nga zjarri. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet zjarrfikëse, të cilat arritën të vinin flakët nën kontroll. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë automjetet e emergjencës që hyjnë në pronën e aktorit, ndërsa tymi ngrihet mbi ndërtesën e përfshirë nga flakët.
Fatmirësisht, incidenti nuk shkaktoi të lënduar dhe zjarri nuk u përhap në ndërtesat e tjera të pronës. Sipas deklaratës së autoriteteve, shkaku i tij dyshohet të ketë qenë aksidental. Ndërtesa kryesore e rezidencës nuk pësoi dëmtime.
Prona e çiftit shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh dhe përfshin një rezidencë me gjashtë dhoma gjumi dhe 13 banjo. Will Smith dhe Jada Pinkett Smith e blenë tokën në vitin 2003, ndërsa ndërtimi i shtëpisë përfundoi në vitin 2010. Një vit më pas, ata e nxorën në shitje për 42 milionë dollarë, por më vonë hoqën dorë nga shitja. Ky nuk është rasti i parë kur prona përballet me një zjarr. Në shtator të vitit 2021, flakët shpërthyen në bodrumin e banesës, duke shkaktuar dëme nga tymi dhe duke kërkuar ndërhyrje për rinovimin e saj.
Edhe në janar të vitit 2025, familja u detyrua të largohej përkohësisht për shkak të zjarreve masive që përfshinë zonën e Los Anxhelosit. Ndërkohë, incidenti i fundit ka rikthyer vëmendjen te rezidenca e çiftit, e cila është një prej pronave më të njohura luksoze të personazheve të Hollywood-it.