Turizmi grek po përballet me rrezikun e një ngadalësimi të trafikut ajror gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa tërheqja e kompanisë Ryanair nga baza e Selanikut pritet të ndikojë negativisht në numrin e pasagjerëve.
Ndërkohë, kompania irlandeze po zgjeron operacionet në Shqipëri, të cilën e ka përfshirë mes destinacioneve ku do të zhvendosë avionët e larguar nga Greqia.
Paralajmërimi është bërë nga drejtuesit e Fraport Greece, kompania që administron 14 aeroporte rajonale greke, gjatë një prezantimi mbi ecurinë e trafikut ajror dhe perspektivën e turizmit për vitin 2027.
Drejtori ekzekutiv i Fraport Greece, Alexander Zinell, deklaroi se kompanitë ajrore kanë nisur të reduktojnë frekuencat dhe kapacitetet gjatë sezonit dimëror, çka mund të sjellë rënie të numrit të pasagjerëve në disa aeroporte.
Një nga aeroportet më të ekspozuara është Selaniku, ku mbyllja e bazës së Ryanair pritet të ndikojë drejtpërdrejt në aktivitetin gjatë dimrit.
Shqetësimet shtrihen edhe në sezonin turistik të vitit 2027. Sipas drejtuesve të Fraport, rritja e kostove të karburantit, pasiguria ekonomike dhe presioni mbi buxhetet e familjeve europiane po i detyrojnë kompanitë ajrore të rishikojnë linjat dhe kapacitetet.
Megjithëse 14 aeroportet rajonale greke pritet ta mbyllin vitin 2026 me një rekord prej 38,6 milionë pasagjerësh, ose 3,9% më shumë se një vit më parë, Fraport vlerëson se edhe ruajtja e këtij niveli në vitin 2027 do të konsiderohej sukses.
Në qendër të shqetësimeve është vendimi i Ryanair për të reduktuar ndjeshëm aktivitetin në tregun grek.
Në maj të këtij viti, kompania njoftoi shkurtimin e 700 mijë vendeve të pasagjerëve dhe eliminimin e 12 linjave ajrore në Greqi për sezonin dimëror 2026–2027, një reduktim kapacitetesh prej rreth 45%.
Vetëm në Selanik, Ryanair vendosi të mbyllë bazën e saj me tre avionë, duke hequr rreth 500 mijë vende dhe dhjetë linja, ndërsa shkurtime u njoftuan edhe në Athinë.
Kompania irlandeze e justifikoi vendimin me tarifat e larta aeroportuale, duke kritikuar Fraport Greece për kostot e operimit në aeroportet rajonale.
Sipas Ryanair, tarifat në aeroportin e Selanikut ishin rreth 66% më të larta se në vitin 2019, duke e bërë më pak tërheqës operimin gjatë muajve me kërkesë të ulët.
Por një nga elementet më interesante të këtij zhvillimi është se Ryanair ka konfirmuar se tre avionët e larguar nga Selaniku do të rialokohen drejt Shqipërisë, Italisë dhe Suedisë, pa specifikuar numrin që do të përfitojë secili vend.
Ndryshe nga Greqia, në Shqipëri kompania ka ndërmarrë një zgjerim të konsiderueshëm gjatë vitit 2026.
Në fund të marsit, Ryanair hapi bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me katër avionë Boeing 737 dhe një investim të deklaruar prej rreth 400 milionë dollarësh.
Për sezonin veror kompania njoftoi 44 linja ajrore nga Tirana, përfshirë 21 destinacione të reja, ndërsa objektivi për vitin 2026 është transportimi i rreth 4 milionë pasagjerëve.
Ryanair ia atribuon zgjerimin në Shqipëri politikës së taksave zero për aviacionin dhe stimujve që ofron aeroporti i Tiranës për kompanitë ajrore.
Planet afatgjata të kompanisë parashikojnë rritjen e flotës së bazuar në Tiranë në gjashtë avionë dhe transportimin e mbi 6 milionë pasagjerëve në vit deri në vitin 2030, nëse ruhen kushtet e operimit.
Zhvillimet e fundit nxjerrin në pah konkurrencën mes aeroporteve të rajonit për të tërhequr linjat ajrore me kosto të ulët.
Ndërsa Greqia po përgatitet për ndikimin e reduktimit të fluturimeve gjatë dimrit dhe një sezon turistik më të pasigurt në vitin 2027, Shqipëria është përfshirë mes tregjeve ku Ryanair ka zgjedhur të zgjerojë aktivitetin dhe të rialokojë kapacitetet e saj. /skyweb.al

