Rey Manaj ka mbyllur aventurën e tij te Sivasspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vendosur të ndërpresë kontratën me klubin turk, pas problemeve të vazhdueshme financiare dhe mospërmbushjes së detyrimeve ekonomike ndaj tij.
Lajmin e ka bërë publik vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpjeguar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Manaj thekson se kishte ardhur te Sivasspor me synimin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në Superligën turke, por projekti sportiv nuk mori drejtimin e pritur.
Sulmuesi shqiptar zbulon se gjatë muajve të fundit i kishte dhënë disa mundësi klubit për të shlyer detyrimet financiare, madje në raste të ndryshme kishte vendosur edhe afate prej 15 ditësh. Megjithatë, sipas tij, pagat nuk u paguan dhe premtimet e drejtuesve nuk u mbajtën.
“Pas një periudhe të gjatë durimi, më është dashur të marr një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: të ndërpres kontratën me Sivassporin”, shkruan Manaj.
Pavarësisht ndarjes, 28-vjeçari nuk i ka kursyer fjalët e mirënjohjes për tifozët, duke theksuar se mbështetja dhe dashuria e tyre do të mbeten gjithmonë të veçanta për të.
“Sivasspori ka qenë shtëpia ime dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Për tifozët, dashuria dhe respekti juaj kanë më shumë rëndësi sesa mund ta shprehin fjalët. Sivasspori do të jetë gjithmonë në zemrën time”, përfundon mesazhi i sulmuesit.
Me ndërprerjen e kontratës, Rey Manaj bëhet lojtar i lirë dhe mund të negociojë për të ardhmen me çdo klub të interesuar. Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë aventura e radhës për sulmuesin shqiptar, i cili pritet të tërheqë interesimin e disa skuadrave në merkaton e ardhshme.
