Shisnin drogë pranë shkollave në Shkodër, 13 persona në pranga
13 persona janë arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, pas një hetimi tre mujor për goditjen e grupeve që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike të qytetit.
Në pranga kanë rënë Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji.
Sipas Policisë, të arrestuarit dyshohet se ishin organizuar në disa grupe dhe shpërndanin drogë në doza në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe pranë institucioneve arsimore. Katër prej tyre kanë precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Nga hetimet e kryera për tre muaj, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, u arrit dokumentimi i veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit për 13 personat.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë dhe paketuar në doza të gatshme për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu dy automjete, 14 telefona celularë, tre peshore elektronike dhe qese farmaceutike që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.




