Cristian Shpendi po kalon një moment fantastik në Itali. Sulmuesi shqiptar ishte protagonisti absolut i fitores 5-1 të Cesena-s ndaj Ascoli-t, duke realizuar një tripletë spektakolare dhe duke konfirmuar edhe një herë se është një nga emrat më premtues të futbollit shqiptar.
Shpendit iu deshën vetëm 18 minuta për të shënuar tri herë dhe për të vulosur suksesin e skuadrës së tij. Fillimisht, në minutën e 69-të, bomberi kuqezi përfitoi nga një asistim brenda zonës dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë.
Por spektakli i tij nuk përfundoi aty. Në minutën e 84-t, sulmuesi shqiptar rrëmbeu topin në mesin e fushës, përshkoi një distancë të konsiderueshme me shpejtësi, kaloi edhe portierin kundërshtar dhe realizoi golin e dytë personal. Vetëm tri minuta më vonë, Shpendi kompletoi tripletën, duke vulosur një mbrëmje të paharrueshme për të dhe Cesena-n.
Me këto tri realizime, sulmuesi shqiptar ngjitet në kuotën e 12 golave në Serie B, duke barazuar rekordin e tij personal në këtë kompeticion. Ajo që bie veçanërisht në sy është mënyra se si e ka arritur këtë shifër: këtë sezon i janë dashur vetëm 13 ndeshje, ndërsa në sezonin e tij të parë në Serie B realizoi 12 gola në 37 ndeshje.
Shpendi ka një kontratë deri në vitin 2028, por klubi italian po shqyrton mundësinë e rinovimit deri në vitin 2029, duke përmirësuar edhe kushtet financiare të futbollistit, i cili aktualisht përfiton rreth 1.4 milionë euro në sezon.
Ndërkohë, sipas mediave italiane, interesimi për sulmuesin shqiptar vjen edhe nga elita e futbollit italian. Cagliari dhe Sassuolo janë dy skuadrat e Serie A që po e monitorojnë me kujdes situatën dhe që, sipas raportimeve, janë të gatshme të investojnë për të siguruar kartonin e tij.
