Pagoi bagazhin 10 kg që në rezervim, por Wizz Air i kërkoi edhe 73 euro për të njëjtën valixhe

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.11.2026, 10:17

Një qytetare ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një rast që e konsideron si abuzim financiar nga kompania ajrore Wizz Air.

Ajo tregon se kishte rezervuar një biletë për fluturimin Tiranë–Athinë dhe kishte paguar paraprakisht edhe tarifën shtesë për një valixhe 10 kg. Megjithatë, gjatë procesit të boarding-ut, ajo është përballur me një tjetër pagesë prej 73 eurosh për të njëjtën valixhe.

Qytetarja thotë se punonjësit i kanë kërkuar ta paguante këtë shumë me argumentin se valixhja duhej të transportohej në hambarin e avionit dhe jo të merrej në kabinë. Sipas saj, ky kusht nuk ishte bërë i qartë gjatë procesit të rezervimit.

Ajo ngre gjithashtu dyshime për mënyrën e tarifimit, pasi në faturën e pagesës shtesë valixhja është kategorizuar si “Cabin Bag Oversized”, ndërkohë që, sipas saj, pesha ishte nën 10 kg dhe arsyeja e komunikuar për pagesën nuk lidhej me përmasat e bagazhit.

Qytetarja e konsideron këtë praktikë si mungesë transparence ndaj pasagjerëve, të cilët, pak minuta para nisjes së avionit, ndodhen përballë zgjedhjes për të paguar një tarifë shtesë ose për të rrezikuar humbjen e fluturimit.

Ajo ka vënë në dispozicion të redaksisë biletën dhe faturën e pagesës prej 73 eurosh, duke kërkuar publikimin e rastit dhe sqarimin e kësaj praktike nga kompania Wizz Air.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit