Forcat kolumbiane të policisë dhe ushtrisë i dhanë fund një situate pengmarrjeje në një supermarket të Kartagjenës, duke nxjerrë të sigurt të gjithë 30 personat që ndodheshin brenda ambienteve.
Ngjarja zgjati më shumë se 14 orë dhe nisi pas dështimit të një grabitjeje ndaj një automjeti të blinduar që transportonte para. Të rrethuar nga policia, personat e armatosur u strehuan në supermarketin Éxito, në lagjen La Castellana, ku morën nën kontroll klientë dhe punonjës.
Të lidhura
None found
Gjatë përballjes, një pjesë e pengjeve u lirua më herët, ndërsa të tjerët qëndruan brenda supermarketit deri në momentin kur forcat speciale përfunduan ndërhyrjen.
Sipas Reuters, operacioni i zhvilluar nga policia dhe ushtria përfundoi me lirimin e të gjithë pengjeve. Një nga autorët u vra gjatë aksionit, ndërsa identitetet e personave të përfshirë nuk janë bërë ende publike nga autoritetet.
Situata shkaktoi shqetësim të madh në Kartagjenë, një qytet turistik, ndërsa forcat e sigurisë rrethuan zonën pranë supermarketit. Operacioni solli edhe pezullimin e përkohshëm të uljeve në aeroportin e qytetit, i cili më pas nisi të rikthehej gradualisht në funksion normal.
Autoritetet e Kolumbisë e kanë cilësuar ngjarjen si pjesë të një tentative për grabitjen e automjetit të blinduar, duke përjashtuar deri tani mundësinë që ajo të ketë lidhje me terrorizmin ose me veprimtarinë e grupeve guerile.








