Një tjetër avari në rrjetin e ujësjellësit është regjistruar në rrugën “Pelivan Leskaj” në Vlorë. Firma “2T” kishte përfunduar ndërhyrjet në këtë segment vetëm pak ditë më parë, por mbrëmjen e kaluar tubacioni është çarë sërish, duke shkaktuar përmbytjen e rrugës.
Rasti ngre pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve në një prej segmenteve ku janë kryer ndërhyrje në kuadër të investimit prej 16 milionë eurosh për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Vlorë.
Projekti, i nisur në vitin 2023 dhe që synon të përmirësojë furnizimin me ujë për rreth 95 mijë banorë, vijon të shoqërohet me avari të përsëritura, ndërsa afati i përfundimit tashmë pritet të shtyhet drejt vitit 2027.
Edhe pse punimet në rrugën “Pelivan Leskaj” konsideroheshin të përfunduara, çarja e tubacionit vetëm pak ditë më pas rikthen shqetësimin për cilësinë e ndërhyrjeve.
Lexo dhe: Firma '2T' lë në errësirë Vlorën, këputet kablloja gjatë punimeve në nëntokë
Firma 2 T kompania e Artan Sakos, vëllait të kryetarit të bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako, është një lubi e fondeve publike. Në 5 vitet e fundit, kjo kompani ka përfituar të paktën 100 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit duke u konfirmuar si një nga peshkaqenët më të mëdhenj të buxhetit.
Kjo kompani për periudhën 2015–2018 ka përfituar rreth 4.5 milion euro nga buxheti i shtetit. Bumi i saj ekonomik ka ndodhur në periudhën 2019–2025 duke përfituar 9.9 miliardë lekë ose 99 milion euro pagesa nga thesari, pra siç shihet qartë biznesi i Artan dhe Gramoz Sakos ka lulëzuar me ardhjen e Belinda Ballukut në qeveri.
© SYRI.net