Merz: Rusia kërkon më shumë se Ukrainën, po përshkallëzon tensionet në Evropë

Botë | 1 minutë më parë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se ambiciet e Rusisë shkojnë përtej Ukrainës, duke theksuar se Moska po përshkallëzon aktivitetet e saj në disa rajone të Evropës dhe po shton presionin edhe brenda kufijve të vendeve evropiane. (Foto: Reuters)

Gjatë një fjalimi në Bundestag, ku prezantoi prioritetet buxhetore dhe sfidat me të cilat përballet vendi, Merz deklaroi se Rusia ka objektiva më të gjera se lufta në Ukrainë.

“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe Rusia dëshiron më shumë se Ukrainën”, u shpreh kancelari, duke paralajmëruar se kushdo që nuk e kupton këtë rrezik nuk po e sheh realitetin ndërkombëtar ashtu siç është.

Merz tha se Rusia po rrit tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën e jashtme.

“Po përshkallëzohet në një shkallë masive, përfshirë edhe këtu brenda kufijve tanë, madje edhe me koston e jetëve njerëzore. Kjo është situata. Dhe kjo është arsyeja pse ne, si evropianë, duhet të vendosim kufij të qartë për Rusinë”, tha ai.

Kancelari gjerman nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për Ukrainën, duke e lidhur drejtpërdrejt sigurinë e saj me atë të Evropës.

“Duke mbështetur Ukrainën, ne po mbështesim dhe mbrojmë veten”, theksoi Merz, duke iu referuar edhe takimit të Koalicionit të të Gatshmëve, të zhvilluar javën e kaluar në Berlin. Sipas tij, delegacioni amerikan ishte i befasuar nga uniteti që treguan vendet evropiane për këtë çështje.

Merz u ndal edhe te nevoja për forcimin e mbrojtjes, ekonomisë dhe infrastrukturës gjermane, duke pranuar se këto çështje janë neglizhuar për një kohë të gjatë.

Ai foli gjithashtu për negociatat mbi buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, duke theksuar se shpenzimet duhet të përqendrohen në sektorët që forcojnë sigurinë dhe konkurrueshmërinë e Evropës.

Sipas kancelarit, Gjermania ka nisur të ndryshojë kursin përballë sfidave ekonomike dhe të sigurisë, megjithëse buxheti i ri nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet e vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme