Tentuan të grabisnin rezidencën e Princit William, dy shqiptarë në pranga
Dy shtetas me origjinë shqiptare janë arrestuar në Angli, pasi dyshohet se kanë hyrë me qëllim vjedhjeje në rezidencën mbretërore ku qëndrojnë Princi William dhe bashkëshortja e tij, Princesha Kate Middleton. Ngjarja ka ndodhur në pronën Sandringham, në Norfolk, ku ndodhet banesa Anmer Hall.
Sipas raportimeve të mediave britanike, incidenti u regjistrua të hënën në mbrëmje, kur dy personat dyshohet se kapërcyen perimetrin e sigurisë dhe depërtuan në ambientet e pronës private. Hyrja e tyre shkaktoi aktivizimin e sistemeve të alarmit, duke vënë në lëvizje menjëherë strukturat e sigurisë.
Dy të dyshuarit, të cilët raportohet se ishin të maskuar, u përballën me sistemet e avancuara të mbrojtjes së rezidencës, ku përfshihen kamera vëzhgimi, sensorë lëvizjeje dhe teknologji lazer. Sipas dyshimeve paraprake, ata mund të mos e kenë ditur se prona ishte në përdorim të familjes mbretërore dhe synimi i tyre mund të ketë qenë kryerja e një grabitjeje.
Pas sinjalizimit për hyrjen e paautorizuar, policia organizoi një operacion kërkimi në territorin e pronës mbretërore. Në aksion u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i pajisur me kamera infra të kuqe.
Pas kontrolleve, të dy personat u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të Sandringham. Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e ngjarjes nuk kishte persona në banesë.
Të arrestuarit vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të incidentit. Sipas raportimeve britanike, njëri prej tyre dyshohet se qëndron në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Çfarë dihet për rezidencën mbretërore?
Anmer Hall është një nga pronat që Princi William dhe Princesha Kate përdorin për qëndrimet e tyre private, kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore. Rezidenca ndodhet në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, dhe iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre.
Ndërkohë, banesa e tyre kryesore është Forest Lodge, në Windsor, ku çifti jeton së bashku me tre fëmijët, George, Charlotte dhe Louis.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse hyrja në pronën mbretërore ishte një tentativë grabitjeje apo nëse pas saj fshihet ndonjë motiv tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



