Mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde, është vonuar për disa sekonda në grumbullimin e skuadrës para fillimit të stërvitjes, duke mbërritur pasi trajneri Hansi Flick kishte nisur tashmë t’u jepte udhëzime lojtarëve.

Ky veprim nuk ka kaluar pa u vënë re nga trajneri gjerman dhe bashkëlojtarët e tij, në prag të përballjes me Sabahun në Ligën e Kampionëve.


Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, futbollistët e Barcelonës ishin rreshtuar tashmë për të dëgjuar udhëzimet e Flickut, kur mbrojtësi francez iu bashkua grupit me vonesë. Trajneri nuk dukej aspak i kënaqur me kohën e mbërritjes së tij, ndërsa disa nga bashkëlojtarët e shikuan me kureshtje situatën e krijuar.

Ky episod vjen në një moment të rëndësishëm për Barcelonën, e cila po përgatitet për ndeshjen e së mërkurës mbrëma ndaj Sabahut, që do të zhvillohet në stadiumin Olimpik të Bakusë, në Azerbajxhan.

Katalunasit synojnë ta vazhdojnë serinë e mirë të rezultateve dhe të afrohen edhe më shumë drejt sigurimit të kualifikimit direkt në fazën e 1/8 së finales.

Barcelona aktualisht renditet në vendin e pestë në tabelën e fazës së ligës me nëntë pikë, pas tri fitoreve dhe një humbjeje në katër ndeshjet e para. Në anën tjetër, Sabahu pozicionohet në vendin e 31-të me vetëm tri pikë, pasi ka regjistruar një fitore dhe tri humbje.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e nisi këtë edicion me një fitore bindëse 5-1 ndaj Feyenoordit, përpara se të triumfonte 4-1 në udhëtim kundër Galatasarayt. Humbja e vetme deri më tani erdhi ndaj Paris Saint-Germainit, me rezultatin 4-2, por Barcelona reagoi në xhiron e katërt duke mposhtur Aston Villan me shifrat 3-0.

Kështu, katalunasit kanë grumbulluar nëntë pikë nga katër ndeshjet e para dhe synojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv ndaj Sabahut, për ta përforcuar pozitën e tyre në garën për kualifikim direkt./Telegrafi/