Dash Sula, gjatë një takimi me inspektoriatet në Shkodër, paralajmëroi masa të rrepta ndaj subjekteve dhe individëve që shkelin ligjin, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore. Ai theksoi se kontrollet do të jenë më të forta dhe se çdo rast abuzimi do të ndiqet me seriozitet, deri në ndjekje penale.

Sula u ndal te rëndësia e pikës doganore të Hanit të Hotit, ku sipas tij kryhen 22 mijë nga 35 mijë inspektimet vjetore. Ai solli në vëmendje edhe rastin e futjes së misrit me aflatoksinë nga Serbia, duke e cilësuar një eksperiencë negative që ka sjellë pasoja dhe për të cilën janë marrë masa ndaj inspektorëve përgjegjës.

Ai kërkoi që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të ketë tolerancë zero ndaj produkteve ushqimore që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Sipas tij, përveç bllokimit dhe sekuestrimit të produkteve, shkelësit do të përballen edhe me ndjekje penale.

Një tjetër fokus i deklaratave ishte digjitalizimi i procesit të inspektimit në pikat doganore. Sula bëri të ditur se brenda katër muajve synohet përfundimi i sistemit të ri, i cili parashikon inspektime online dhe pajisjen e çdo inspektori me kamera inteligjente dhe uniformë, me qëllim rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit.

Sa i përket ndërtimeve pa leje në Theth, Sula deklaroi se problematikat me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit janë reduktuar. Ai përmendi portalin sigurtë.gov.al dhe linjën e gjelbër telefonike, përmes të cilave qytetarët mund të denoncojnë shkeljet në mënyrë anonime, duke shtuar se denoncimet nga qarku i Shkodrës janë të pakta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb