Tirana mikpriti Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”, me mbi 600 pjesëmarrës nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve financiare dhe autoritete evropiane, si Kerstin Jorna, Drejtoreshë e DG GROW në Komisionin Evropian.
Në fjalën hapëse, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vuri theksin te nevoja për kalim nga dialogu te investimet konkrete dhe te transformimi industrial i rajonit në shërbim të nevojave strategjike evropiane. Ajo nënvizoi se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare u rrit rreth 3.6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën 1.14 miliardë euro, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministrja propozoi shqyrtimin, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, të mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI) që përfshinë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe atyre prodhuese të rajonit, me fokus të veçantë te lëndët e para kritike dhe përpunimi i qëndrueshëm i tyre. Për qëllim identifikimi të projekteve konkrete, Ibrahimaj propozoi nisjen e një vlerësimi teknik të përbashkët me institucionet evropiane, shtetet anëtare, kompanitë dhe partnerët rajonalë.
Në fjalimin e saj ministrja theksoi nevojën për diversifikim të burimeve të financimit, përtej kreditimit bankar, përmes zhvillimit të kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe instrumenteve alternative që mbështesin startup-et, kompanitë inovative dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme. Ajo vlerësoi rëndësinë e mekanizmave evropianë për ndarjen e riskut dhe financimin e infrastrukturës digjitale dhe energjetike.
Një fokus tjetër ishte zhvillimi i shërbimeve me vlerë të shtuar—inxhinieri, zhvillim softuerësh, shërbime shëndetësore dhe logjistikë—si mundësi për zgjerimin e eksporteve dhe përfshirjen në zinxhirët evropianë të vlerës, si dhe rëndësia e zhvillimit të aftësive profesionale dhe digjitale. Ibrahimaj vuri në dukje rolin e Planeve të Rritjes së BE dhe Tregut të Përbashkët Rajonal për reduktimin e fragmentimit ekonomik dhe lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar.
Konferenca dyditore synon të shërbejë si platformë për identifikimin e mundësive të reja investive, forcimin e partneriteteve ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në ekonominë evropiane, duke përfshirë prezantime startup-esh, diskutime me investitorë, takime B2B dhe prezantimin e instrumenteve të reja financimi dhe mbështetjes nga institucionet evropiane dhe financiare ndërkombëtare.

