Pep Guardiola ka zbuluar një prapaskenë interesante të karrierës së tij, duke konfirmuar se në të kaluarën ka pasur kontakte me drejtuesit e futbollit italian për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë.
Në një intervistë për Romario TV, në bisedën me legjendën braziliane Romario, trajneri spanjoll tregoi se mundësia për të drejtuar “Azzurrët” ishte një nder i madh për të, por në atë periudhë ndiente se kishte nevojë të ndalonte dhe të merrte më shumë kohë për veten.
“Është një nga nderet më të mëdha të jetës sime që kanë menduar për mua për të drejtuar kombëtaren italiane, por ndieja se duhej të ndalesha. Nëse do të ma kishin propozuar disa vite më parë, me shumë mundësi do ta kisha pranuar”, rrëfeu Guardiola.
Më tej, tekniku spanjoll zbuloi se në atë periudhë, kur në Itali ishin të përfshirë edhe emra si Paolo Maldini dhe Leonardo, vendosi të mos e vazhdonte më rrugën si trajner.
“E kuptova se duhej të ndalesha. Kisha nevojë për më shumë kohë për veten. Kisha qenë trajner për 18 vite dhe drejtoja ndeshje çdo tri ditë. Është hera e parë që flas për këtë, por më vinte turp që i kisha thënë jo një vendi si Italia”, u shpreh trajneri i njohur.
Një tjetër temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe e ardhmja e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë. Guardiola mendon se një futbollist i madh si CR7 nuk mund ta mbyllë aventurën me përfaqësuesen në mënyrë të zakonshme.
“Portugalia duhet t’i japë lamtumirën që meriton. Të dyja palët duhet të angazhohen që të ketë një fund të denjë për karrierën e tij. Cristiano nuk mund të largohet nga kombëtarja portugeze në këtë mënyrë. Nuk mund të lejojnë që ai të largohet kështu”, përfundoi Guardiola.
