Më 21 nëntor 2026, studentët shqiptarë njoftuan krijimin e “Lëvizjes Studentore Kombëtare”, një organizim i ri që synon të përfaqësojë shqetësimet dhe kërkesat e të rinjve në kuadër të protestave qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.
Gjatë deklaratës së bërë publike nga Universiteti Politeknik, themeluesit sqaruan se lëvizja nuk kërkon të zëvendësojë revoltën qytetare. Sipas tyre, ajo është pjesë e kësaj fryme dhe synon ta forcojë atë përmes propozimeve dhe kërkesave që lidhen drejtpërdrejt me problemet e brezit të ri.
Të lidhura
None found
Arsimi cilësor, punësimi, mundësitë e barabarta dhe krijimi i kushteve që të rinjtë të ndërtojnë një jetë me dinjitet në Shqipëri janë ndër objektivat e shpallura nga organizimi.
Studentët theksuan se përmbushja e këtyre kërkesave varet nga qeverisja, përgjegjësia e institucioneve dhe llogaridhënia e tyre. Ata njoftuan se do të propozojnë çështje për debat publik dhe do të ndërmarrin hapa konkretë së bashku me qytetarë, pedagogë, profesionistë dhe intelektualë.
Themeluesit kërkuan gjithashtu një hetim të pavarur dhe transparent për akuzat mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve.
Lëvizja e përshkruan veten si të pavarur, demokratike dhe të qëndrueshme. Ajo nuk do të ketë kryetar dhe nuk pretendon të flasë në emër të të gjithë studentëve. Përmes deklaratës së tyre, organizatorët ftuan të rinjtë t’u bashkohen, me synimin për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie më demokratike dhe më të drejtë, ku largimi nga vendi të mos jetë kusht për të siguruar një të ardhme.

Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse kjo nismë mund të shndërrohet në një alternativë politike dhe cilat janë pengesat që mund të hasë. Për këtë çështje kanë dhënë vlerësimet e tyre për “Bota sot” pedagogu dhe analisti Klemedin Mile, si edhe analisti Ilir Vata. Ata kanë diskutuar potencialin e lëvizjes, marrëdhënien e saj me partitë politike dhe mundësinë që protestat qytetare të sjellin ndryshime në skenën politike.
Organizimi dhe prova e parë politike
Klemedin Mile e sheh krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare si një zhvillim pozitiv. Sipas tij, kjo strukturë mund të shërbejë për ta kthyer energjinë e protestave në një organizim të mirëfilltë, i cili mund të marrë edhe përfaqësim politik.
Mile mendon se vendimi për të mos hyrë në dialog me kryeministrin Edi Rama mund ta ndihmojë lëvizjen të ruajë identitetin dhe besueshmërinë e saj. Por, në këndvështrimin e tij, ky qëndrim nuk është i mjaftueshëm për të krijuar një forcë politike, pasi duhen edhe strukturat organizative, një program i qartë dhe aftësia për të ndërtuar aleanca me grupet shoqërore.
“Krijimi i kësaj lëvizjeje është një hap i dobishëm, sepse hap rrugën që energjia e protestës të përdoret politikisht dhe të shndërrohet në një subjekt të organizuar. Kjo merr rëndësi edhe për faktin se partitë opozitare nuk kanë arritur të ndërtojnë një front të përbashkët. Mospranimi i dialogut me Ramën i shërben ruajtjes së identitetit dhe besueshmërisë, por nuk mjafton për të ngritur një forcë politike. Për këtë nevojiten organizim, program dhe aleanca shoqërore”, deklaroi Mile për “Bota sot”.
Sa i përket mundësisë që në Shqipëri të përsëritet modeli i Serbisë, ku protestat studentore kanë ndikuar në zhvillimet politike, analisti nuk pret një skenar me të njëjtin përmasë.
Ai vëren se realitetet politike të dy vendeve janë të ndryshme. Për studentët shqiptarë, sipas tij, sfida kryesore është të ruajnë pavarësinë dhe të ndërtojnë një identitet të veçantë, pa u përfshirë apo përthithur nga partitë ekzistuese.
“Nuk besoj se modeli serb mund të përsëritet në Shqipëri në të njëjtën shkallë. Në Serbi, protestat ishin shumë masive dhe kryesisht paqësore, ndërsa opozita tradicionale ishte më e dobët se Partia Demokratike në Shqipëri. Kjo u krijoi studentëve hapësirë që të shfaqeshin si forca kryesore kundërshtuese. Në Shqipëri situata është më e ndërlikuar. Studentët duhet të ndërtojnë identitetin e tyre, pa u përthithur nga partitë ekzistuese dhe pa u futur në një përplasje të panevojshme me to”, tha Mile.
Sipas tij, testi më i rëndësishëm për lëvizjen do të jetë kalimi nga mbështetja e marrë në protesta drejt një përfaqësimi konkret politik. Ai e sheh të mundshme një sfidë edhe në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, por vetëm nëse opozita tradicionale pranon t’i japë hapësirë një kandidati që vjen nga kjo lëvizje studentore.

“Për momentin, mundësia për ta sfiduar seriozisht Ramën duket më e prekshme në Tiranë, sidomos në garën për bashkinë. Por kjo kërkon një vendim politik nga opozita tradicionale. Partitë duhet të mbështesin një kandidat të dalë nga lëvizja studentore, në vend që ta konsiderojnë atë si rival për drejtimin e opozitës. Një kandidat i tillë mund të bashkojë energjinë e protestave me votën opozitare dhe të krijojë një alternativë më të gjerë se secila parti më vete. Prova për lëvizjen do të jetë shndërrimi i legjitimitetit të protestës në përfaqësim politik, ndërsa për opozitën prova do të jetë nëse do të lejojë një alternativë që nuk e kontrollon vetë”, përfundoi pedagogu dhe analisti.
Rreziku i përfshirjes në politikën tradicionale
Ndryshe mendon analisti Ilir Vata, i cili shfaq më shumë rezerva për të ardhmen e organizimit. Ai argumenton se shndërrimi i Lëvizjes Studentore Kombëtare në parti mund të çojë në dështimin e saj, pasi skena politike shqiptare dominohet nga partitë e mëdha dhe ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor nuk krijojnë kushte të favorshme për subjektet e reja.
Vata këmbëngul se lëvizja duhet të mbetet qytetare dhe të mos hyjë në garën partiake. Sipas tij, përfshirja në këtë garë do t’ia dobësonte ndikimin dhe potencialin fillestar.
“Kjo lëvizje po orientohet drejt shndërrimit në një subjekt politik dhe drejt përfshirjes në garën elektorale. Nëse studentët do të mblidheshin si një forcë e mirëfilltë, ata mund të krijonin një hapësirë politike që do të synonte rrëzimin e qeverisë, drejtimin e vendit dhe kalimin drejt një qeverie teknike. Por, nëse zgjedhin rrugën e një partie politike, mendoj se do të dështojnë, sepse terreni është i zënë nga partitë e mëdha. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i vendosin partitë e reja në kushte të pafavorshme. Heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe detyrimi që partitë të garojnë veçmas ua vështirëson profilizimin. Kjo është sfida më e madhe e lëvizjes dhe mund të jetë edhe pika ku ajo dështon”, deklaroi Vata për “Bota sot”.
Duke e krahasuar situatën me Serbinë, ai tha se në Shqipëri pakënaqësitë nuk burojnë vetëm nga shqetësimet studentore apo qytetare, por janë të ndërthurura edhe me konfliktet brenda politikës.
“Në Shqipëri nuk kemi të njëjtin lloj pakënaqësie studentore apo qytetare si në Serbi. Këtu kemi pakënaqësi që lidhen me vetë politikën. Të rinjtë kanë lëvizur, diaspora ka reaguar dhe qytetarët kanë protestuar. Prandaj nuk shoh një lidhje reale mes lëvizjes studentore shqiptare dhe asaj serbe. Mund të ketë ngjashmëri në pamje ose në formë, por nuk ka të njëjtin potencial politik”, u shpreh analisti.
Vata dyshon gjithashtu se nisma e re do të jetë në gjendje të prodhojë ndryshime të mëdha politike. Sipas tij, vendi ka nevojë për një klimë të re dhe për një lëvizje që të ndahet nga modelet e vjetra, ndërsa kjo nismë nuk e përmbush këtë kriter.
“Në Shqipëri vazhdon të jetë e pranishme politika e vjetër. Siç kam thënë edhe më herët, po tentohet të përsëritet loja e Ramiz Alisë në vitin 1990, kur studentët dhe ish-komunistët u ngritën gjoja për të rrëzuar komunizmin, megjithëse në të vërtetë regjimi nuk u rrëzua, por u zëvendësua me një tjetër. Kjo lëvizje nuk ka potencial të krijojë qeveri, as përmes protestave dhe as përmes zgjedhjeve. Shqipëria ka nevojë për një nismë dhe një klimë të re politike, por lëvizja e shfaqur në fillim të kësaj vere nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha. Ajo është një lëvizje politike e krijuar për të dhënë përshtypjen se në Shqipëri po ndodh diçka”, theksoi Vata.
Analisti e lidh këtë situatë me mungesën, sipas tij, të një shkëputjeje të plotë nga e kaluara komuniste. Ai përmendi moszbardhjen e dosjeve dhe mungesën e informacionit për varret e të burgosurve politikë si faktorë që kanë mbajtur vendin në një tranzicion të zgjatur.
“Shqipëria ka mbetur në një stagnacion dhe tranzicion politik të pafund. Vendi ende nuk është shkëputur nga e kaluara komuniste. Gjurmët e diktaturës shfaqen në shumë raste, sidomos në datat përkujtimore. Diktatori është ende gjallë, dosjet nuk janë hapur dhe nuk janë gjetur varret e të burgosurve politikë. Kjo ka krijuar një periudhë post-diktatoriale pa përfundim. Për këtë arsye, politika e re mbetet e dobët dhe e ndërthurur me të vjetrën. Ajo është formuar nga politika e kaluar dhe nuk pres ndryshime të mëdha. Në fund, këto lëvizje mund të kthehen vetëm në shtojca të politikës së vjetër”, deklaroi ai.
Në përfundim, Vata tha se lëvizja e re mund të mos arrijë të ndahet nga partitë ekzistuese dhe rrezikon të bëhet pjesë e të njëjtit sistem. Ai kritikoi edhe sloganin “Të bëjmë Shqipërinë e re”, të cilin e lidhi me retorikën e përdorur gjatë periudhës komuniste.
“Kodi Zgjedhor nuk i ndihmon partitë e reja, ndërsa nga e majta dhe e djathta po shfaqen sinjale për krijimin e subjekteve të reja. Megjithatë, terreni politik është armiqësor, sepse koalicionet parazgjedhore janë përjashtuar. Një parti e re që hyn në garë rrezikon të mbetet pa përfaqësim.
Mendoj se kjo lëvizje studentore mund të përfundojë njësoj si politika e vjetër dhe të bëhet pjesë e saj. Nuk shoh diçka të re, ndryshim apo lidhje me zhvillimet në Serbi dhe me lëvizjet e reja. Në terren mbetet vetëm slogani ‘Të bëjmë Shqipërinë e re’, i ngjashëm me retorikën e Enver Hoxhës në vitin 1955. Në këtë mënyrë po krijohet një diktaturë e re, sepse problemet e së kaluarës nuk janë trajtuar. Lëvizja quhet studentore, por aty nuk janë studentët; quhet e të rinjve, por aty nuk janë të rinjtë. Edhe pse përdoret emri ‘flamingo’, në të vërtetë aty janë forcat e vjetra që duan ta mbajnë Shqipërinë peng”, përfundoi Vata për “Bota sot”.





