Jamarbër Malltezi reagoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që rrëzoi kërkesën e tij dhe të bashkëshortes, Argita Malltezi, për heqjen e sekuestros mbi 25 pasuri në kuadër të dosjes “Partizani”. Ai njoftoi se çështja e sekuestrimit është dërguar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe kundërshtoi vazhdimin e masës së sekuestros edhe tre vjet pas vendosjes së saj, duke theksuar nevojën për verifikim të situatës pas një periudhe të tillë. “Ne e kemi në Strasburg. Këto janë në vijim, se Strasburgu të lë detyra dhe thotë që në çdo moment ti duhet të verifikosh, sepse nëse në momentin e parë ke deklaruar që shpejtësia ty të detyron të vësh në sekuestro, duhet të shohësh tani, 3 vite më pas, je në shpejtësi?”, u shpreh Malltezi.
Ai bëri të ditur se një tjetër çështje e tij është depozituar në Gjykatën Kushtetuese që më shumë se tre muaj, dhe pretendoi se janë shkelur afatet ligjore në këtë proces. Malltezi përmendi edhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun dhe e krahasoi me kohëzgjatjen e shqyrtimit të çështjes së Sali Berishës, duke deklaruar: “Gjykata Kushtetuese për Belinda Ballukun mori vendim për 11 ditë, ndaj Sali Berishës e ka zgjatur 11 muaj”.
Me vendimin e Gjykatës së Lartë mbetet në fuqi sekuestroja e vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme dhe e konfirmuar nga Apeli i Posaçëm. Mes 25 pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani” përfshihen apartamente, llogari bankare dhe aksione në disa kompani. Vendimi i lartëgjykimit rrëzon kështu kërkesën për heqje të masës, ndërsa palët vijojnë rrugët juridike për të kontestuar dhe verifikuar ligjshmërinë e vazhdimit të sekuestros.
Teksti u publikua nga Top Channel.

