Trembëdhjetë persona janë arrestuar në Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkolla të Pastra”, që goditi disa grupe të dyshuara për shitjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike të qytetit.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Në pranga kanë rënë Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji. Sipas Policisë, tre prej tyre kanë precedentë penalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Nga hetimet dyshohet se 13 personat vepronin të organizuar në disa grupe dhe shpërndanin lëndë narkotike në doza pranë shkollave dhe në hapësira të tjera publike në Shkodër.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe paketuar në qese farmaceutike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu dy automjete, 14 telefona celularë dhe tri peshore elektronike, të dyshuara se përdoreshin për këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.