Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, ka shmangur përgjigjet në lidhje me një hetim të mundshëm federal ndaj gjigantit teknologjik Nvidia dhe drejtuesit të tij, Jensen Huang, duke e cilësuar kompaninë si një “qytetare të mirë korporative”.

I pyetur disa herë nga gazetarët nëse Departamenti i Drejtësisë apo FBI-ja kishin hetuar Nvidia-n ose Huang, Blanche u përgjigj: “Nuk e di për çfarë po flisni”. Ai deklaroi gjithashtu se nuk kishte informacion mbi statusin e autorizimit të sigurisë së drejtuesit të kompanisë, ndërsa ligjvënësit amerikanë kërkojnë sqarime për përfshirjen e Presidentit Donald Trump në rikthimin e tij në detyrë.

Huang iu rikthye punës më pak se dy javë pasi ishte detyruar të jepte dorëheqjen për shkak të zbulimeve mbi lidhjet jashtëmartesore, përfshirë një marrëdhënie me një person të dyshuar si spiun kinez.

Drejtuesi i Nvidia-s pritet të paraqitet para Kongresit amerikan javën e ardhshme, ku do të pyetet për shqetësimet e sigurisë kombëtare lidhur me marrëdhënien e tij me personin që drejtonte kompaninë Megaspeed, një klient i Nvidia-s me seli në Singapor.

Departamenti amerikan i Tregtisë ka njoftuar gjithashtu se po përgatitet të përfshijë në listën e zezë kompaninë teknologjike Megaspeed, e cila dyshohet se ka ndihmuar në devijimin e çipave të avancuar drejt Kinës.

Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, Departamentet e Tregtisë dhe të Drejtësisë thanë se hetimi ndaj Megaspeed nisi në vitin 2024 për “shkelje të mundshme të kontrolleve të eksportit”. Blanche theksoi se autoritetet amerikane zhvillojnë një numër të madh hetimesh të tilla.

“Ne kemi qindra, në mos edhe më shumë, hetime për eksportin që zhvillohen në çdo moment”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ishte i kënaqur me bashkëpunimin e Nvidia-s për të zbuluar nëse kompania apo Huang kishin pasur dijeni për devijimin e mundshëm të çipave drejt Kinës, Blanche u përgjigj: “Nuk kam asnjë arsye të dal këtu dhe të them se Nvidia është diçka tjetër përveçse një qytetare e mirë korporative”.

Ai shtoi se nëse Nvidia do të ishte objekt i një hetimi penal apo do të kishte penguar punën e autoriteteve, qëndrimi i tij do të ishte ndryshe.

“Nëse Nvidia ishte shënjestra ose subjekt i ndonjë hetimi penal, ose nëse po pengonte hetimin tonë, atëherë ky nuk do të ishte mesazhi që presidenti po u përcjell amerikanëve. As mesazhi im nuk duhet të jetë i tillë”, përfundoi Blanche./BBC