Turizmi në rënie të lirë në tetor, të huajt 12.5 për qind më pak

Muaji tetor ka regjistruar ndoshta muajin me kthesën më të fortë negative për turizmin ku shtetasit e huaj që hynë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Statistikave për Lëvizjen e Shtetasve tregojnë se gjatë tetorit rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.457.940 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
“Ky tregues ka pësuar një rënie me 7,6 %, krahasuar me Tetor 2025. Gjithashtu, 1.562.077 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 1,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë në vend arritën në 662.437, duke shënuar një rënie prej 0,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tkurrja ishte më e ndjeshme në hyrjet e shtetasve të huaj, të cilat ranë me 12,5%, duke arritur në 795.503.
Një tendencë e kundërt vërehet në daljet e shtetasve shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit krahasuar me një vit më parë. Konkretisht, numri i daljeve arriti në 692.374, me një rritje prej 5%. Ndërkohë, daljet e shtetasve të huaj shënuan një rënie prej 1,9%, duke arritur në 869.703.
Ndikimi i tensioneve ne vend
Rënia e turizimit në muajin e 10-të vitit ishte i pritshëm teksa gjatë këtij muaji vendi u përfshi nga një seri protestash.
Protestat nisën fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët parashtruan një sërë kërkesash drejtuar qeverisë. Megjithatë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, të shoqëruara me përdorimin e forcës nga policia, trazira dhe dëme materiale në disa zona të kryeqytetit.
Kjo situatë mund të ketë ndikuar negativisht në perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik, veçanërisht për vizitorët e huaj.
Tur-operatorët kërkuan që qeveria të ulte tensionin me protesuesit, duke paralajmëruar se kjo do të ndikonte në ecurinë e turizmit diçka që duket se tashmë është materializuar në numra konkretë.
Ecuria për pjesën e mbetur të vitit vlerësohet jo më me optimizëm ku tuoepratorët kanë parashikuar një zbehje të turizmit në tërësi edhe pse e shohin këtë si afatshkurtër dhe pa pasoja në imazhin e përgjithshëm të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











