“E para grua që përjashtohem në 35 vite, e marr si dekoratë”, Spiropali: Ata që duhet të ikin, rrinë!
Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar publikisht në një konferencë për shtyp, ku e cilësoi vendimin si një dekoratë. E pyetur nëse është gruaja e parë që përjashtohet nga grupi parlamentar në 35 vite, Spiropali tha se e merr këtë si një vlerësim, ndërsa theksoi se nuk ka asgjë për t’u habitur nga zhvillimet brenda Partisë Socialiste.
Ajo deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë delikate të zhvillimit të saj dhe se qëndrimet kritike ndaj pushtetit i ka mbajtur edhe përpara protestave të fundit. Spiropali foli për nevojën e reformimit të sistemit elektoral, duke e cilësuar atë si një sistem që ka krijuar një “moçal politik”, ndërsa pranoi edhe përgjegjësitë e saj në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe të partisë së një njeriu.
“Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë. Mendoj që s’duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë që ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin.
Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate të zhvillimit të saj. Jo sot, por unë këtë qëndrim e kam mbajtur edhe para protestave të flamingove. Një qëndrim të qartë për udhëkryqin ku gjendet Shqipëria, në raport me nevojën për t’u ngritur përtej këtij sistemi aktual.
Kam folur për nevojën për reformimin e sistemit tonë elektoral, i cili ka krijuar një moçal politik. Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, ishte koha për ta kuptuar se gjërat kanë ndryshuar.
Në atë kohë u ngritën shumë vetulla dhe më panë me habi, sepse nuk kuptonin nga buronte kjo. Kur në shumicën e kohës, nga analizat, kupton që përjashtimi është më i madh se përfshirja, unë e mbaj si dekoratë që jam nga të përjashtuarit nga sistemi.
Kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe të partisë së një njeriu, dhe kjo është përtej emrit të Edi Ramës dhe raportit personal“, tha Spiropali.
Përjashtimi i Spiropalit nga grupi parlamentar erdhi pas vendimit të Asamblesë së Partisë Socialiste për ta larguar nga të gjitha forumet e partisë. Vendimi u konfirmua të martën nga deputetët socialistë, në një mbledhje me dyer të mbyllura, ku munguan kryeministri Edi Rama dhe vetë Spiropali.
Të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro përjashtimit, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan. Gjatë mbledhjes nuk u paraqitën arsye konkrete për largimin e saj.
Me largimin e Spiropalit, grupi parlamentar socialist numëron 81 deputetë. Për të siguruar shumicën e cilësuar prej 84 votash, të nevojshme për miratimin e ligjeve që kërkojnë tri të pestat, PS-së i nevojiten tashmë edhe votat e tre deputetëve të partisë së Tom Doshit.




