Sport

Rei Manaj largohet nga Sivasspori

Rei Manaj i jep fund aventurës së tij te Sivasspori. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka vendosur të ndërpresë kontratën me klubin turk, pas problemeve të vazhdueshme financiare dhe mospërmbushjes së detyrimeve ndaj tij.

Vendimi u bë zyrtar këtë të martë, përmes një reagimi të publikuar nga vetë futbollisti në rrjetet sociale. Manaj bëri të ditur se i kishte dhënë klubit disa mundësi për të zgjidhur situatën, madje edhe afate prej 15 ditësh për të kryer pagesat e prapambetura. Por, sipas tij, asnjë prej premtimeve nuk u mbajt.

29-vjeçari ishte rikthyer te Sivasspori në shkurt të këtij viti, me objektivin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në elitën e futbollit turk. Megjithatë, problemet financiare dhe mungesa e kushteve për realizimin e këtij projekti e shtynë drejt këtij vendimi.

Manaj e cilësoi ndarjen si një nga vendimet më të vështira të karrierës, ndërsa nuk harroi të falënderonte tifozët për mbështetjen, duke theksuar se Sivasspori do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.

Kështu, sulmuesi kuqezi del lojtar i lirë dhe mund të shqyrtojë ofertat për aventurën e radhës. Një zhvillim që pritet të tërheqë vëmendjen në merkaton e janarit, veçanërisht pas formës së mirë që Manaj ka treguar këtë sezon, si me klubin, ashtu edhe me Kombëtaren.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.