Reforma Territoriale, Spiropali: Unë nuk kisha kundërshti, Braçe dhe të tjerët s’u lejuan të votonin sipas bindjes së tyre
Elisa Spiropali ka kritikuar mënyrën se si u zhvillua votimi për reformën administrativo-territoriale, duke deklaruar se deputetët që kishin kundërshti nuk u lejuan të votonin sipas bindjeve të tyre. Ajo përmendi në mënyrë të veçantë Erion Braçen, për të cilin tha se kishte rezerva të vërteta për reformën.
Spiropali theksoi se Parlamenti nuk duhet të funksionojë si një kazermë, ku deputetët thjesht zbatojnë urdhrat dhe votojnë në rresht. Sipas saj, Partia Socialiste duhet të tregojë besnikëri ndaj kërkesave të protestuesve dhe të mos e konsiderojë përçarjen e opozitës si arsye për të qëndruar në pushtet.
Ajo kërkoi që PS-ja t’i ofrojë vendit një alternativë tjetër politike, duke paralajmëruar se situata të tilla në histori kanë përfunduar keq, jo vetëm për ata që qeverisin, por mbi të gjitha për vendin.
“Duhet të tregojmë besnikëri ndaj kërkesave të protestuesve. Kemi bërë shumë punë, nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh, nuk duhet që PS-ja të katandiset siç janë katandisur partitë e tjera. Në këtë pikë ne duhet t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër.
Pse përçarja e opozitës duhet të na mbajë ne ende në pushtet? Këto situata në histori kanë treguar se përfundojnë shumë keq, jo për ata që qeverisin, por për vendin.
Këtu kishim mundësi të krijonim mundësi, të uleshim qoftë edhe me opozitën. Më ka ardhur shumë keq edhe për votimin në Reformën Territoriale. Kishte miq dhe deputetë si Erion Braçe që kishin kundërshti të vërteta dhe nuk u lejuan të votonin sipas bindjes së tyre.
Unë nuk kisha kundërshti. Nëse do të kisha, do të kisha abstenuar ose nuk do të kisha votuar. Parlamenti nuk mund të jetë një kazermë: ul kokën, shko në rresht. Ne u detyrohemi njerëzve”, tha Spiropali.




