E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 1 sekondë më parë
Politikë

Spiropali sfidon Ramën: Nuk dorëzoj mandatin, të hapet gara për kreun e PS-së pas 17 vitesh! Kush është i pazëvendësueshëm?

Elisa Spiropali sfidon hapur kryeministrin Edi Rama dhe përjashton mundësinë e dorëzimit të mandatit të deputetes. Në konferencën për shtyp, ajo deklaroi se nuk e di nëse Rama e do apo jo, por është e bindur se gëzon mbështetjen e socialistëve, për të cilët tha se ka zhvilluar beteja të vështira ndër vite.

Spiropali shkoi edhe më tej, duke kërkuar hapjen e garës për kreun e Partisë Socialiste pas 17 vitesh, nëse drejtuesit e partisë pretendojnë se gjithçka duhet të vendoset përmes një gare popullariteti. Ajo theksoi se në PS nuk ka kryetar të përjetshëm dhe se asnjë individ nuk është i pazëvendësueshëm.

Sa i përket mandatit të deputetes, Spiropali u shpreh se nuk ka ndërmend të heqë dorë prej tij, ndërsa nënvizoi se nuk e ka problem as përfundimin e karrierës politike, por se do të vijojë të qëndrojë në Partinë Socialiste.

“Unë nuk e di a më do apo s’më do Edi Rama. Unë di që më duan socialistët, sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë askush tjetër. Kam bërë beteja të vështira. Jam një e majtë, një socialiste, një progresiste e bindur në vlerat e mia. Besoj se më duan socialistët.

Reklamë

Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm. Ata që kanë hequr statutin, flasin sot për statut? Çfarë është statuti? Rregulla të përbashkëta. U respektua në ndonjë moment në lidhje me mua apo të tjerë? Ata që kanë probleme, le të ikin.

Nuk heq dorë nga mandati. Unë kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar jo vetëm për vete, por kam punuar që të marrin vota edhe të tjerët. Kam qenë drejtuese politike në shumë nivele.

Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike. Gjithmonë i detyrohem forcës time politike. E dua atë forcë politike. Unë do jem aty, sfida është kjo.

Meqë qenka garë popullariteti, le të hapet gara. Jo vetëm unë, por shumë të tjerë mund të garojnë për kreun e PS-së. Kush është i pazëvendësueshëm?”, tha Spiropali.

Deklarata e Spiropalit vjen pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar dhe nga forumet e Partisë Socialiste.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.