Rrëzohet helikopteri ushtarak gjatë stërvitjes në Turqi, humbin jetën 5 persona
Pesë ushtarakë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri të Forcave Ajrore Turke gjatë një fluturimi stërvitor në provincën Eskishehir, në Turinë qendrore.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 19:30 me orën lokale. Helikopteri i tipit AS-532 Cougar ishte ngritur nga Eskishehiri, por u rrëzua në një zonë rurale pranë lagjes Yorukakcayir, në distriktin Tepebasi.
Lajmi u konfirmua nga Ministria turke e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se të pesë personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.
“Pesë kolegë tanë trima, të cilët shërbenin në bordin e helikopterit të Forcave Ajrore që u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor në Eskishehir, ranë në krye të detyrës”, thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkaqet që çuan në rrëzimin e helikopterit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mbetjet e helikopterit të përfshira nga flakët, ndërsa pranë vendit të ngjarjes ndodheshin edhe banorë të zonës. Në vendngjarje mbërritën forcat e sigurisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat kryen kontrolle në zonën përreth.
Ndërkohë, ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Njëri prej viktimave është identifikuar si piloti Volkan Demirhan, me gradën kryekapter, nga qyteti Sarayköy i provincës Denizli. Identitetet e katër pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit nuk janë bërë ende publike.
Ky është aksidenti i dytë fatal me një helikopter ushtarak në Turqi brenda vetëm 12 ditësh.




