Aksident ajror në SHBA/ Aeroplani humb kontrollin dhe bie në det në brigjet e Floridas, gjashtë viktima, mes tyre dy fëmijë Brukseli pret sot samitin e radhës mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në qendër të diskutimeve do të jenë integrimi i rajonit, forcimi i bashkëpunimit politik dhe përballimi i sfidave të përbashkëta.
Samiti do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të cilët, sic theksojnë mediat vendase, shpresojnë që të ruajnë ritmin e zgjerimit të bllokut.
Liderët e unionit do të shqyrtojnë ecurinë e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me vëmendje të veçantë te Plani i Rritjes dhe mundësitë për zgjerimin e përfitimeve që ai ofron për rajonin.
Në fokus do të jetë edhe procesi i anëtarësimit të Malit të Zi, i cili synon të përmbyllë negociatat për të gjithë kapitujt deri në fund të këtij viti.
Ky samit mund të jetë i fundit ku vendi merr pjesë me statusin e kandidatit, përpara kalimit në fazën e aderimit.
Nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi, megjithatë, nuk pritet të ndodhë përpara qershorit të vitit të ardhshëm.
Përtej procesit të zgjerimit, liderët do të diskutojnë edhe forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit, në kushtet e tensioneve ndërkombëtare.
Një nga veçoritë e këtij takimi është mungesa e Serbisë, e cila për të dytën herë radhazi nuk do të përfaqësohet në nivelin më të lartë politik.
Presidenti në detyrë dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, nuk do të jetë i pranishëm, ndërsa mungesa e tij është mirëkuptuar nga zyrtarët europianë, për shkak të situatës tranzitore politike në Beograd pas zgjedhjeve.
Një ndër çështjet kryesore të axhendës pritet të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Liderët evropianë do të nënvizojnë se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet pengesë për avancimin e tyre drejt integrimit europian.
Samiti i fundit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në fillim të qershorit në Tivat të Malit të Zi, ku mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Top Channel