Kryesore

Irena Beqiraj: Përjashtimi i Spiropalit, akti që vulos paranojën e Ramës!

12:17 - 25.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Irena Beqiraj

Pas Revolucionit Francez dhe rënies së Napoleonit, monarkitë europiane jetonin nën frikën se revolucioni mund të rikthehej. Pas çdo pakënaqësie shihej një komplot dhe çdo zë kundërshtues shihej si një sinjal i fillimit të një kryengritjeje. Metternich, kancelari austriak dhe arkitekti i rendit konservator të kohës, u bë simbol i kësaj paranoje politike. Sundimtarët filluan të shihnin komplote aty ku kishte thjesht njerëz që mendonin ndryshe. Poetët, studentët, intelektualët dhe kundërshtarët politikë u vunë nën vëzhgim. Kritika interpretohej si rebelim, organizimi si komplot dhe mendimi ndryshe si kërcënim për fronin. Në përpjekje për të shpëtuar pushtetin, monarkitë ndërtuan mekanizma kontrolli që prodhuan gjithnjë e më shumë frikë, armiqësi dhe, në fund, revoltë.

Në librin “Phantom Terror- Political Paranoia and the Creation of the Modern State, 1789–1848”, historiani Adam Zamoyski përshkruan pikërisht këtë mekanizmin që përdor pushteti i pushtuar nga frika, që fillon të shohë armiq kudo dhe e trajton çdo shfaqje autonomie si një kërcënim potencial.

Në “monarkinë socialiste” shqiptare, kemi hyrë në një fazë të ngjashme.

Edi Rama duket se e ka gjithnjë e më të vështirë të pranojë ekzistencën e një mendimi politik që nuk kalon përmes tij. Ai sillet sikur është njëkohësisht burimi i së vërtetës, arbitri i besnikërisë dhe administratori i mendimeve të të tjerëve. Në këtë logjikë, mendimi ndryshe nuk është më pjesë e natyrshme e një partie politike, por një luks që askush nuk mund t’ia lejojë vetes.

Elisa Spiropali nuk përbënte ndonjë kërcënim të jashtëzakonshëm për pushtetin e Ramës. Ajo nuk kishte ndërtuar një qendër alternative pushteti dhe as kishte shpallur ndonjë rebelim kundër Ramës. E vetmja herezi që ka bërë është se ka treguar se mund të mendojë e të veprojë ndryshe.

Por për kryetarin në paranojë, një zë ndryshe është një precedent. Të tjerët mund të kuptojnë se posti nuk kërkon domosdoshmërisht dorëzimin e gjykimit personal, ndaj kjo mundësi, sado e vogël, duhet neutralizuar përpara se të kthehet në shembull.

Përjashtimi i saj nuk është thjesht një ndëshkim për të, ai është një mesazh për të gjithë ata në sallë, të cilët nuk duhet t’i ngatërrojnë postet me të drejtën për të menduar.

Kur një kryeministër me shumicë parlamentare, qeveri, parti dhe të gjithë mekanizmat e pushtetit në duar e tij , nuk pranon një mendim ndryshe, nuk demonstron forcë, por pasiguri. Sa më shumë të ushtrojë forcë, aq më shumë do të dyshojë; sa më shumë të dyshojë, aq më shumë do të ndëshkojë dhe sa më shumë të ndëshkojë, aq më shumë arsye do t’u japë njerëzve për t’iu kundërvënë.

Ky është mekanizmi perfekt i vetëshkatërrimit të monarkive, i përshkruar nga Zamoyski. Historia na mëson se kur çdo mendim ndryshe trajtohet si revolucion, pushteti përfundon duke e kthyer edhe mendimin në akt rebelimi, dhe kështu, nga frika e revolucionit, fillon ta prodhojë vetë atë.

Ndaj kërcënimi për Ramën edhe pushtetin e tij brenda partisë nuk është Spiropali por paranoja e tij!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.