“Femicidi është urgjencë kombëtare”, protestohet kundër vrasjeve së grave
Ka nisur protesta me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, në në Prishtinë, ku organizatorët dhe pjesëmarrëset po kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
Përmes një komunikate, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave.
RrGK-ja ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës, ndaj institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Ndër kërkesat kryesore të protestës janë ndryshimi i Kodit Penal dhe përcaktimi i femicidit si vepër penale e veçantë, krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.















