Që nga koha kur vendi qeverisej nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në vitin 1913, pra fill pas shpalljes së Pavarësisë e deri më sot, shqiptarët dhe qeveritë e tyre asnjëherë nuk kanë qenë vetëm siç janë tani, por kanë qenë gjithnjë të mbështetura dhe të orientuara nga një qendër e jashtme. Në fillim Fuqitë e Mëdha, pastaj Italia, më tej kampi komunist, përkatësisht Jugosllavia, pastaj Bashkimi Sovjetik, pastaj Kina.

Në momentin që Enver Hoxha mbeti vetëm Shqipëria u zhyt në krizë të thellë dhe pastaj gjithë Lindja u shemb e bashkë me të ra edhe diktatura e fundit, që ishim ne. Pas viteve ’90 ne kemi qenë në mënyrë konstante nën ndikimin e fortë të SHBA-ve dhe kemi shfaqur gjithnjë gatishmërinë gati të verbër që duam të bëhemi anëtarë të familjes europiane. Mirëpo, të mësuar me një « baba » që na këshillon e na mëson si të sillemi, në gjithë këta vjet ne kemi bërë pak fare ose aspak përpjekje që ta meritojmë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mburremi gjithë ditën e gjithë natën se jemi europianët e parë mbi dhe, kemi mbytyr rrjetet sociale me folklorizma banale për gjuhën shqipe e për vjetërsinë tonë, por, në anën tjetër, kemi ndërtuar një shoqëri që nuk funksionon, një shtet që nuk i përfaqëson shqiptarët dhe tani jemi futur në një krizë të thellë qeverisjeje dhe kemi shembur përfundimisht parlamentarizmin.

Kriza që filloi në fund të majit dhe që u pasua nga revoltat e dhunshme tregoi se shoqëria shqiptare nuk është më e unifikuar dhe nuk ka një ideal të vërtetë që ta realizojë me mjete demokratike. Në të gjitha krizat që ka kaluar vendi në vitet e tranzicionit, duke filluar nga viti 1997, 21 janari, Gërdeci apo edhe në raste të tjera më domethënëse, kanë qenë ambasadorët amerikanë ata që kanë orientuar politikën shqiptare. Dhe zgjidhjet e tyre gjithnjë kanë qenë në interes të shqiptarëve dhe të paqes. Mirëpo, tani, gjithçka ka ndryshuar.

Pas ardhjes së Trampit në Shtëpinë e Bardhë, Amerika ka hequr dorë nga roli i arbitrit në demokracitë e reja. Europa ka kohë që është përfshirë nga kriza dhe tani e djathta europiane pritet që të marrë pushtetin në vende si Spanja apo Franca e Gjermania. Takimi i Shenzhenit mes Trump, Putin e Xi Jinpin nxori edhe njëherë në reliev botën që tash e tutje funksionon mbi parimin e interesit ekonomik. Rusia, që deri para pak kohësh ishte dhe është vendi agresor, sot është bërë aleatja e Trampit. Erërat e një lufte që mund të përfshijë gjithë Europën kanë kohë që ndihen dhe për të, tashmë, flitet hapur. Ndërkohë, protestat masive që kanë përfshirë kontinentin tonë kanë nxjerrë në reliev krizën e një bote që gjithnjë e më shumë po sundohet nga teknoinformatika dhe nga pabarazia. Është hera e parë që Shqipëria duhet të marrë vendime e vetme. Ambasada amerikane nuk është më ajo që diktonte zgjidhjet politike në këtë vend edhe me shenja formale.

Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera të tij përsërisin si për të mos na dekurajuar se ne po bëjmë përparime në rrugën për të hyrë në BE. Frazat me kapituj që hapen e që mbyllen janë bërë një refren i mërzitshëm. Ndërkohë, klasa politike në Shqipëri po shfaq gjithë lodhjen, apatinë dhe mungesën e vitalitetit. PS-ja është zhytur në një krizë të thellë identiteti dhe përdorimi i burgut ndaj kundërshtarëve politikë si në rastin e Veliajt apo përjashtimet si në rastin e Spiropalit po tregojnë se nga PS-ja e dikurshme, ajo forcë politike e hapur dhe moderne tani nuk ekziston më. PS-ja duket sikur kishte ngut që të arrinte trenin e fundit që do ta çonte te PD-ja, te një forcë politike e rrëgjuar dhe që komandohet nga një njeri i vetëm, nga ai që është problemi numër një i këtij vendi. Tani duket se shqiptarët dhe demokracia jonë nuk kanë vetëm një, por kanë dy probleme. Mirëpo, në këto kushte, ne do të hyjmë në zgjedhjet lokale.

Në anë tjetër, pra, veç këtyre dy forcave të vjetra politike, është hiri i zjarrit që ka mbetur nga protestat. Tani në vend të një trupe politike që ne të gjithë menduam se mund të dilte nga ato protesta, po na shfaqen karikatura portretesh që nuk përfaqësojnë asgjë. Gjithë zemërimi dhe dëshpërimi i derdhur në shesh në manifestimet e majit dhe qershorit tani është futur brenda dhe ka mbetur pa përfaqësim. Kështu ne ngjajmë me një anije që ecën kuturu, pa asnjë drejtim në një det të trazuar. Askush nuk shqetësohet se ku mund të na çojë kjo anije. Të gjithë ndjehen mirë sepse të paktën ajo nuk po mbytet. Edhe ne tani për tani ndjehemi mirë sepse jemi të gjithë të pushtuar nga afshi i kaosit të ëmbël.

Shqipëria tani ka dy forca politike të vjetëruara, një koropratë gjykatësish e prokurorësh që janë mbi të gjitha institucionet dhe që realisht drejtojnë vendin, ka një parlament të degraduar që nuk shërben për asgjë, një popull disa herë të zemëruar e disa herë të hutuar dhe asnjë shpresë se mund të krijohet një lëvizje e re politike, me një vizion të ri. Tani jemi vetëm. Të shohim se si dimë të qeverisemi tani që « baba » na ka nxjerrë nga shtëpia.