MALIQ – Një pikë ujë, sa për të mbushur kovat, rrjedh në çezmë në orët e mëngjesit dhe më pas ndërpritet.
Në Zboq të Maliqit, 17 familje nuk janë përfshirë në rrjetin e ujësjellësit. Këtë sasi të pakët uji e sigurojnë përmes investimeve private, por nga viti në vit burimi po shteron. Janë ankuar në Bashkinë e Maliqit dhe në ndërmarrjen rajonale të ujësjellësit, por nuk kanë gjetur zgjidhje.
"Kam 16 vite nuse në këtë fshat dhe nuk kam parë të vijë ujë me presion për lavatriçe e dush. Uji vjen me pika, si rakia, dhe mbushim kovat, depozitat. Kemi bërë protesta, na bënë një pusetë atje, por e kanë lënë pa kapak. Ne jemi dakord që të futemi në ujësjellës", tha një banore.
Burimi nga ku furnizohen ndodhet në fshatin Gocë, por edhe aty, thonë banorët, është ndërtuar një fermë, çka ka bërë që sasia e ujit të pakësohet edhe më shumë. Tashmë ata kërkojnë që këtë shërbim ta marrë në administrim ujësjellësi dhe janë të gatshëm të paguajnë faturën e ujit të pijshëm.
"Ujin e kemi menaxhuar vetë, se nuk na e ka sjellë shteti. Tani ne duam ta sjellë shteti, të vendosë sahatin dhe ta paguajmë. Por, si fillim, të sjellin ujin, pastaj sahatin. Ne e marrim ujin në fshatin Gocë, por tani atje është ndërtuar një stallë me bagëti dhe ajo e merr gjithë ujin", shprehet një tjetër banor.
“Ne lahemi me një ujë me erë dhe e përdorim për të larë. E kemi siguruar vetë, me shpenzimet tona. Bashkia nuk na ka ndihmuar fare. Në bashki kam shkuar, më thoshin të shkoja në njësi, në Libonik. Kam pritur deri në orën 3 atje dhe talleshin me mua. Fëmijët i kisha vetëm në shtëpi, ndërsa unë shkoja dyerve të bashkisë dhe nuk zgjidhnin asgjë", ankohet banorja.
Por mungesa e ujit nuk është i vetmi problem që shqetëson banorët e Zboqit. Edhe rruga që lidh banesat me aksin kryesor është lënë jashtë investimeve.
"Problemi ynë është që nuk kemi ujë, por nuk kemi as rrugë. Nuk na i kanë bërë siç duhet. Vijnë, shtrojnë gjysmën e rrugës, ndërsa tjetrën e lënë përgjysmë. Për ujin thonë se do ta marrin çështjen në dorë. Kemi mbi 10 vite që ankohemi, kemi bërë edhe protesta dhe vetëm mashtrime na bëjnë", tha ajo.
"Ne duam që shteti të na ndihmojë për rrugën dhe ndriçimin. Për rrugën ia thamë kryetarit të bashkisë dhe na thanë se është private. Ne kemi problem me ujin e pijshëm dhe dritat, sepse janë me telin e Enver Hoxhës", shton më tej.
Prej vitesh, 17 familjet e Zboqit presin zgjidhjen e problemeve që ua kanë vështirësuar jetën dhe kanë çuar në boshatisjen e fshatit. Bashkia e Maliqit, deri në publikimin e lajmit, nuk ktheu përgjigje për mungesën e ujit dhe asfaltimin e pjesshëm të rrugëve.








Komente
Komento