Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të dalin sërish para gjykatës në fund të vitit 2027, në një proces që lidhet me dyshimet për manipulimin e dëshmisë së biznesmenit franko-libanez Ziad Takedine në çështjen e financimit të fushatës presidenciale të vitit 2007 nga Libia. Sipas mediave franceze, Sarkozy dhe Bruni akuzohen se kanë tentuar të paguajnë Takedine për të tërhequr deklaratat që kishte bërë lidhur me financimin e fushatës. Në proces do të gjykohet edhe Mimi Marchand, drejtuese e një agjencie fotografike paparacësh, e cila dyshohet për manipulim dëshmitarësh dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Çështja lidhet me dëshminë e Takedine, i cili në vitin 2016 pretendoi se kishte ndihmuar në transferimin e deri në 5 milionë eurove nga ish-diktatori libian Muammar Gaddafi drejt Sarkozyt dhe shefit të kabinetit të tij gjatë viteve 2006-2007. Në vitin 2020, biznesmeni i tërhoqi papritur deklaratat, përpara se t’i konfirmonte sërish më vonë.
Pikërisht kjo tërheqje e dëshmisë solli hetime të reja ndaj ish-presidentit dhe bashkëshortes së tij. Sipas akuzës, ata iu drejtuan Mimi Marchand për të ndërmjetësuar pagesën ndaj Takedine, me qëllim ndryshimin e deklarimeve të tij. Të dy i mohojnë akuzat. Carla Bruni dyshohet gjithashtu se, në fund të vitit 2019, ka kërkuar krijimin e një linje telefonike të paligjshme për të komunikuar me Marchand lidhur me çështjen. Gjyqi i ri pritet të nisë më 3 nëntor 2027 dhe të përfundojë më 2 dhjetor. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit rrezikojnë deri në 10 vite burg dhe një gjobë prej 150 mijë eurosh.
Sarkozy është dënuar më herët me pesë vite burg për formimin e një organizate kriminale në çështjen e financimit të dyshuar libian të fushatës së tij presidenciale. Ai u lirua pas 20 ditësh, ndërsa priste shqyrtimin e apelit.
