Ushtria amerikane planifikon të shpërthejë me kontroll rreth 5 tonë azid plumbi të vjetruar në fabrikën e municioneve të Ushtrisë në Iowa, të mërkurën në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale (1500 GMT). Sipas ushtrisë, kimikati shpërthyes është bërë tepër i paqëndrueshëm për t'u ruajtur, ndërsa shpërthimi do të asgjësojë të gjithë rezervën e vendit të këtij materiali.
Operacioni do të zhvillohet në fabrikën e municioneve në Middletown, Iowa, dhe ushtria e quan shpërthimin e kontrolluar mënyrën më të sigurt për t'u marrë me kimikatin që ka nisur të kristalizohet në depo. Banorëve të një qyteti të vogël dhe të zonave përreth u është kërkuar të largohen, si masë paraprake.
Ushtria ka njoftuar se materiali u zhvendos në Iowa për ruajtje nga baza të ndryshme të vendit në vitin 2009, ndërsa një inspektim i marsit zbuloi se ai ishte kristalizuar pjesërisht. Kjo e bën atë të ndjeshëm ndaj fërkimit dhe të ftohtit dhe mund të shkaktojë një shpërthim të papritur.
Sekretari në detyrë i Ushtrisë, Adam Telle, tha se autoritetet nuk besojnë se publiku duhet të panikojë. Sipas tij, qëllimi është që sa më shumë nga materiali të mbahet në fabrikën e Iowas, për të penguar përhapjen e tij. Gjeneralmajori Eric Shirley, që drejton operacionin, deklaroi se mosveprimi nuk është më një opsion.
Drejtori i Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, Rob Cekada, u shpreh para gazetarëve se bëhet fjalë jo nëse do të ndodhë, por kur do të ndodhë. Për të kufizuar pluhurin toksik të plumbit, ushtria ka ndërtuar barriera rreth bunkerëve që mbajnë materialin dhe do të përdorë shkumë dhe ujë për të kapur grimcat.
Sipas Reuters, parashikimet e ushtrisë tregojnë se pluhuri mund të vendoset deri në 40 milje (64 km) në jugperëndim, duke arritur në veri të Misurit. Zyrtarët presin që era ta largojë rethin nga Burlingtoni, një qytet me pothuajse 25 mijë banorë. Ndërsa banorët brenda 5 miljeve (8 km) u inkurajuan të evakuohen, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave u ka këshilluar njerëzve 5 deri në 20 milje larg të qëndrojnë brenda me dritaret e mbyllura.
Data e shpërthimit ka ndryshuar tri herë pas reagimit të publikut, ndërsa një gjykatë federale e apelit e miratoi planin të hënën, pasi grupet mjedisore paditën. Fermerja Jill Holler, e cila organizoi një protestë, i tha Reuters se nuk është kundër nëse ky është opsioni i vetëm i sigurt. Sipas saj, çështja është se gjithçka është trajtuar aq keq sa njerëzit janë të hutuar dhe nuk besojnë asgjë nga ato që u thuhet.
