Gjendet pa shenja jete një grua në shtëpinë e saj në Leshan të Suharekës

Një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në fshatin Leshan të Suharekës.
Rasti ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës, më 25 nëntor, rreth orës 07:00.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Policisë, informata është pranuar nga mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe ekspertët mjekoligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Me konsultim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është iniciuar procedura “Hetim i vdekjes”, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren po vazhdojnë veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të vdekjes. /Telegrafi/

































