Hetimi për vrasjen e Selami Hasanit dhe nipit të tij, Jakup Hasani, ka bërë që policia shqiptare t’u kërkojë informacione autoriteteve në Kosovë dhe Suedi. Në qendër të verifikimeve është makina Volvo që u përdor në atentat dhe më pas u dogj në fshatin Dërmenas.
Automjeti rezulton i denoncuar si i vjedhur në Suedi gjatë vitit 2023. Sipas dyshimeve të hetuesve, ai mund të jetë futur në Shqipëri nga Kosova, nëpërmjet pikës kufitare të Morinës. Policia po verifikon gjithashtu nëse shtetas kosovarë kanë ndihmuar në transportimin e tij drejt vendit.
Të lidhura
None found
Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar palës kosovare të dhëna për kalimin e automjetit në Shqipëri. Suedisë i janë kërkuar hollësi për vjedhjen, historikun e makinës dhe personat që mund të kenë lidhje me të.
Informacionet nga të dyja vendet mund të ndihmojnë në përcaktimin e personave që planifikuan dhe kryen atentatin, si edhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm. Volvo-ja u gjet e djegur në Dërmenas të Fierit pas ngjarjes. Në automjet u zbuluan katër armë zjarri, tre prej të cilave me silenciator.
Hetuesit po shqyrtojnë kryesisht pistën e hakmarrjes. Selami Hasani, i njohur edhe si Sel Çami, ishte liruar nga burgu vetëm 20 ditë më parë, pasi kishte përfunduar dënimin për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, të njohur si Ben Qimja. Për atë vrasje ai ishte dënuar me 25 vite burg. Hetimet vazhdojnë për të rindërtuar plotësisht atentatin, identifikuar autorët dhe zbuluar nëse persona të tjerë kanë ndihmuar në organizimin e tij.







