Izet Mexhiti, një nga liderët e VLEN-it, deklaroi në një konferencë për media se disa provime shtetërore do të mund të jepen në gjuhën shqipe. Ai foli gjithashtu për avancimin e shqipes dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Kam një lajm të rëndësishëm për përparimin e gjuhës shqipe, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit: nga sot, një sërë provimesh shtetërore do të zhvillohen edhe në shqip”, u shpreh Mexhiti.
Të lidhura
None found
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut nuk ka regres në përdorimin e gjuhës shqipe dhe as shkelje të ligjit përkatës. Ai tha se, në më pak se dy vjet në qeveri, VLEN-i ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese dhe ka përparuar në plotësimin e atyre që mungonin për arritjen e barazisë gjuhësore.
Mexhiti vuri në dukje se për më shumë se 20 vjet provimet në vend janë zhvilluar vetëm në maqedonisht, pavarësisht gjuhës në të cilën ishte kryer arsimi. Ai pretendoi se VLEN-i po realizon atë që BDI-ja e kishte premtuar për dy dekada.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që 28 Nëntorin ta festojnë me dinjitet dhe të mos bien pre e provokimeve të opozitës.
I pyetur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Mexhiti tha se vendit i duhen zgjidhje dhe jo zgjedhje. Sipas tij, ai është shprehur edhe më herët për këtë çështje dhe qëndrimi është i njëjtë me atë të kryeministrit: Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për zgjedhje, por për zgjidhje.






